Dom Gjergj Meta: Shqipëria vuan nga zhurma e politikës dhe kakofonia

Dom Gjergj Meta, arqipeshkvi i Mirditës në një intervistë për Ora News ka deklaruar se Shqipëria vuan nga zhurma e politikës dhe kakofonia që shkakton ajo.

Për gazetaren dhe drejtoren e lajmeve, Beti Njuma ai tha se kjo kakofoni që  shkakton politika shqiptarë që është në konfliktualitet të ashpër dhe që transmetohet tek familjet dhe brezat e rinj.

Dom Gjergj Meta: Nganjëherë më duket vetja si një zë i pafuqishëm përballë kësaj kakofonie dhune, zërash që kalon nëpër media, që është zhurma e politikës. Shqipëria vuan nga zhurma e politikës dhe kakofonia që shkakton politika shqiptarë që është në konfliktualitet të ashpër dhe të dhunshëm, fatkeqësisht që transmetohet tek familjet dhe brezat e rinj. Nuk ka modele të paqta dhe ajo që mundohem të bëj është që të jetoj me njerëzit. Te jetoj me problemet dhe gëzimet e tyre, të marr pjesë si një njeri i këtij qyteti pa pasur nevojë të jem i privilegjuar.  Kur shkoj nëpër familje, fshatra të thellë në të vërtetë unë marr shumë dashuri dhe respekt, mirënjohje. 

Sipas tij politika ka bërë mëkat me të varfrit, pasi qëllimisht persona apo pushtete grumbullojnë sa më shumë pushtet dhe para duke harruar pjesën tjetër të shoqërisë.

Dom Gjergj Meta: Ka momente, persona, pushtete që unë i quaj okulte që mundohen të grumbullojnë sa më shumë për vete pushtet, para, asete të ndryshme dhe të lënë pjesën tjetër të popullsisë në varfëri dhe në terr. Kjo bëhet me qëllim. Ky është mëkati i çdo politike në botë, por edhe i politikës shqiptare.

Pjesë nga Intervista

Mirditën e ka gërryer emigracioni

Mirdita është 70% e larguar në krahasim me vitin 1991. Ka disa fshatra që p.sh në 2008-2010 shkolla ka pasur rreth 100 nxënës. Nga 2010-2018 ajo shkollë për të cilën po flas, nuk po ja them emrin, ka vetëm një nxënës.

Në Mirditë ka fshatra që jetojnë si para 100 vjetësh

Sot ka fshatra në Mirditë që janë si para 100 vjetësh, nga pikëpamja e infrastrukturës rrugore. Nuk ka shërbime, s’ka ambulanca. Në Mirditë është punuar me shkollat, por rrugët janë të tmerrshme. Fëmijët që në dimër duhet të shkojnë në shkollë, nëpër shkollat e fshatrave shkojnë si gjyshërit e tyre para 100 vjetësh. Kjo nuk është e tolerueshme sot.

Politika duhet të marrë përgjegjësitë e saj. Si ka mundësi që në 28 vjet rruga nacionale nga Rrësheni për në Lurë, që janë 50 km të bëhet për 3.5 orë.

Të rinjtë e Rrëshenit kanë një inteligjentë të jashtëzakonshëm, kanë një krijimtari të jashtëzakonshme, janë energji. Gjimnazi i Rrëshenit furnizon studentë me mrekullueshëm.  

Mesazhi për studentët: Kërkoni të drejtën, por forconi mendimin tuaj

Kam parë që fjala ka humbur peshën në ambientin tonë. Flitet dhe askush nuk dëgjon. Një farë tërheqje e imja ka qenë një lloj respekti për fjalën. Mos dhunoja fjalën dhe ta thoja në çdo vend pa i dhënë peshë asaj. Fjala kur thuhet ka një peshë dhe duhet respekt për fjalën dhe për ata që ti u drejton fjalën.

Duke u kthyer tek mesazhi i studentëve ka qenë një moment emocional i imi. Unë qëllova në Tiranë dhe ka qenë data 6. Rastësisht pashë këta studentë tek Zogu i Zi. Me një natyralitet të jashtëzakonshëm dhe të përqendruar, nuk shihje djem dhe vajza që po bënin sikur, ishin të motivuar. Nuk e di nga i ka ardhur ky motivim, por unë ndjeva aromën e një gjëje të re.  Këta studentë me pak batuta arritën e vënë në krizë gjithë sistemin në Shqipëri.

Nga larg, por i përgëzova. I inkurajoj që gjithmonë të kërkojnë të drejtën e tyre. Ama porosia ishte dhe kjo: Forconi mendimin tuaj. Ata të rinj duhet të studiojnë, tempulli i tyre është biblioteka dhe jo kafet. Të forcosh mendimin do të thotë ta thellosh mendimin dhe jo vetëm ta zgjerosh mendimin.

Ai kishte edhe një mesazh për të gjithë besimtarët që festojnë Krishtlindjen: 

Doja tu uroja më shumë shpresë, të ardhme, më shumë dashuri për këtë vendin tonë, mos ta braktisim Shqipërinë. Ta bëjmë atë më të bukur dhe jo ta braktisim. Me pak vështirësi, por do t’ia dalim bashkë.

/Ora News

SHKARKO APP