Donacionet për tërmetin, Spaho: 800 mln euro janë borxh, duhet bërë kujdes
Shifra prej 1.15 miliardë euro e mbledhur për Shqipërinë në Konferencën e Donatorëve një ditë më parë në Bruksel, shihet me rezerva nga ekspertët e ekonomisë.
Mateo Spaho i ftuar në Ora News thotë se pjesa më e madhe e donacioneve hua me interes të ulët po që mund të rëndojnë më tepër nivelin e borxhit publik nëse nuk administrohen me kujdes.
Spaho: Mund të duket një shifër e lartë por është e kushtëzuar. Grantet janë shumë pak, më pak se 30 përqind e vlerës totale. Edhe këto para janë të kushtëzuara, duhen dhënë projekte konkrete transparente me fatura të qarta. Në teori ne përfitojmë por në praktikë ne kemi qenë nga vendet e fundit për realizimin e projekteve. Shkaku është mungesa e burimeve njerëzore, por edhe nëse ka, ato nuk janë në vendet e tyre. Ata që janë pjesë e administratës nuk janë profesionistë. Duhet një lloj influence pozitive nga politika shqiptare dhe duhet një seriozitet në menaxhimin e fondeve publike. Janë para që të akordohen vetëm nëse ti i bind këto vende që ti do t’i shfrytëzosh mirë këto para dhe do t’i dërgosh në vendin e duhur.
Një përqind e shumës janë borxhe me normë të ulët interesi por prapë mbetet borxh. Borxhi publik shqiptar është mbi 70 përqind e GDP, dhe duke marrë parasysh 800 milionë euro të ofruara në formën e borxheve këto përbëjnë 5-7 përqind të GDP të Shqipërisë duke e çuar borxhin në mbi 80 përqind pa përmendur për PPP-të e Shqipërisë. Borxhi merret por Shqipëria nuk rritet. Aftësia që qeveria të marrë dhe t’i transformojë në projekte që favorizon rritjen ekonomike është e ulët.
Spaho komentoi dhe nismën e qeverisë për marrjen e punëtorëve të huaj lidhur me procesin e rindërtimit.
Për ekspertin e ekonomisë kjo nuk është aspak axhendë patriotike.
Spaho: Rama ka në vartësi të tij INSTAT e cila thotë se shqiptarët nga mosha 15-65 vjeç janë më shumë se 2 milion e 100 mijë që banojnë në Shqipëri. Ndërkohë nga këta ata që punojnë janë 760 mijë. Kemi 1 milion e 400 mijë shqiptarë që ose nuk punojnë ose kanë miliarda dhe nuk duan të punojnë. Po të kishin shanse për tu punësuar nuk do të bënin sehir. Nëse do të marrësh punëtorë të huaj nga India e Sri Lanka dhe t’i japësh nga 40 dollarë në muaj. Por pasi të mbarojnë punën ato do të duan të dalin dhe do të duan që të jetojnë në qytetet tona. Kjo hap probleme të tjera. Çfarë do ndodhi me rendin publik me sigurinë mos ti krijojmë probleme të tjera. Në vend që të ofrojmë vende pune për skllevër të krijojmë vende pune për shqiptarë.