Doni data dhe kushtet per provimet e infermiereve

 

Para provimit jane infermieret. Urdhri i Infermierit të Shqipërisë ka zbardhur afatet për regjistrimin e profesionistëve të infermierisë në provimin e praktikës, i njohur ndryshe edhe si provimi i Vlerësimit të Aftësimit Profesional. Sipas njoftimit të institucionit, të gjithë praktikantët infermierë, mamì, fizioterapistë, teknikë të imazherisë, teknikë të laboratorit dhe logopedë, të cilët kanë përfunduar praktikën, duke filluar nga data 10 shtator do të duhet të dorëzojnë dokumentet e nevojshme, në mënyrë që të fitojnë të drejtën të futen në provim. Për këtë arsye, ata duhet të dorëzojnë librezat e Praktikës dhe kërkesën për pjesëmarrje në Vlerësimin e Aftësimit Profesional. Po ashtu, dokumentacioni duhet të plotësohet edhe me një dokument identifikimi si dhe me fotokopjen e diplomës. Sipas Urdhrit të Infermierit, këto dokumente do të dorëzohen pranë zyrave ku është bërë regjistrimi për të ndjekur këtë praktikë, ndërkohë që afati i fundit është data 25 shtator.

Sa i takon testimit, ai do të zhvillohet në periudhën 5-20 tetor, ndërkohë që, të gjithë atyre kandidatëve, të cilët futen për herë të parë në provimin e praktikës, emri për në Provim Shteti u kalon automatikisht nëse kalojnë provimin VAP. Ndërkohë që, për të gjithë ata që janë përsëritës në Provimin e Shtetit, në data 25 shtator – 5 tetor 2015 do të bëhet dhe konfirmimi i pjesëmarrjes në Provimin e Shtetit të muajit nëntor 2015, duke dorëzuar kërkesën me shkrim për pjesëmarrje në këtë provim, fotokopje të kartës së identitetit, fotokopje të kartës së praktikantit si dhe fotokopje të diplomës e listës së notave. Procedura Tri vite më parë, Urdhri i Infermierit ndryshoi kushtet për të gjithë kandidatët që dëshironin të hynin në Provimin e Shtetit. Sipas këtyre ndryshimeve, të interesuarit, përveç praktikës profesionale, i nënshtrohen një testimi profesional në fund të saj, ndërkohë që, vetëm nëse vlerësohen pozitivisht në të, kanë të drejtë të regjistrohen për Provimin e Shtetit.

Konkretisht, studenti i diplomuar në infermieri, fizioterapi, logopedi, teknikë imazherie dhe teknikë laboratori, ditën që regjistrohet, merr librezën e praktikës profesionale. Në këtë librezë mbahen shënimet ditore përgjatë 12 javëve që studenti realizon praktikën, të cilat firmosen çdo ditë nga drejtuesi i saj. Në fund, libreza e firmosur nga drejtuesit vlerësohet me një numër pikësh të caktuara. Saktësisht, ato janë nga 10 deri në 25 pikë, të cilat i njihen kandidatit gjatë realizimit të testimit profesional. Ai e merr librezën, dhe 10 ditë para datës së provimit e dorëzon atë pranë urdhrit profesional dhe regjistrohet për dhënien e testimit profesional. Testimi profesional jepet para një komisioni të posaçëm të ngritur nga Ministria e Shëndetësisë dhe Urdhri i Infermierit, ku kandidatët do të përgjigjen me gojë dhe praktikisht. Për këtë sezon, Urdhri i Infermierit nuk ka publikuar detaje të provimit të praktikës profesionale, çka do të thotë se do të jenë të njëjta me ato të vitit të kaluar. Kështu, vitet e kaluara, kandidati u përgjigjej 5 pyetjeve, të cilat ishin në programin e praktikës profesionale, ndërsa secila vlerësohej me nga 1 deri 25 pikë. Pikët maksimale ishin 100, ndërkohë që për ta kaluar me sukses kandidati duhej të merrte 50 pikë.

 

SHKARKO APP