Doni të studioni në Hungari? Kriteret që duhet të plotësoni për të përfituar bursë
Në zbatim të programit të bashkëpunimit me Hungarinë në fushën e arsimit dhe shkencës, Qeveria e Republikës së Hungarisë, përmes Fondacionit Publik Tempus, shpall programin e bursave shtetërore për shtetasit e huaj, për vitin akademik 2017-2018, sipas kategorive të ndara si më poshtë:
Studime të pjesshme në nivelin bachelor/ master/ doktoraturë (1-2 semestra). Kandidatët e interesuar duhet të jenë të regjistruar dhe të kenë statusin e studentit në një nga universitetet e vendit të tyre.
Kandidatët mund të aplikojnë vetëm për studime të nivelit që janë duke ndjekur në vendin e tyre.
Këto studime janë të vlefshme maksimumi për një vit akademik pa mundësi shtyrjeje të mëtejshme.
Studime të plota në nivelin bachelor/master (6 semestra). Programet bachelor zgjasin nga 2-4 vite akademike ndërsa studimet master nga 1.5-2 vite akademike. Preferohen aplikimet në fushat e studimit si vijon: Bujqësi, Inxhinieri, Ekonomi, Arte dhe Shkenca Natyrore.
Studentët që aplikojnë për kurse master duhet të kenë përfunduar studimet bachelor dhe të kenë diplomën përkatëse për këtë nivel studimesh. Studime
Doktorale PHD, program i plotë (2+2 vite akademike).
Kandidatët që aplikojnë për këto studime duhet të kenë një diplomë të nivelit master.
Për të gjitha nivelet e studimit, kandidatët duhet të plotësojnë kushtet e nivelit të njohurive të gjuhës të përcaktuara nga programi i studimit për të cilin do të aplikojnë.
Kandidatët do të bëjnë fillimisht aplikimin online, i cili do të jetë i hapur nga mesi i janarit 2017.
Sugjerohet që të gjithë kandidatët, përveç aplikimit online duhet të dorëzojnë kopjet origjinale të dokumentacionit me postë në Drejtorinë e Integrimit dhe Projekteve,
për këto bursa studimi deri në datën 5 mars 2017, që është edhe afati i fundit për dorëzimin e aplikimeve.
/GSh

