Dosja 184, Gjiknuri: Nuk kam asnjë lidhje, të hetohet
Sekretari për Çështjet zgjedhore pranë PS, Damian Gjiknuri tha në studion e A2CNN se dosja 184 për vjedhje votash në Dibër, nuk rëndon mbi të dhe se duhen lënë organet e drejtësisë të hetojnë.
Gjiknuri gjithashtu foli për ndryshimet e mundshme që mund t’i bëhen kodit zgjedhor.

Pjesë nga intervista
Lidhur me reformën zgjedhore, së fundmi i keni shtuar tonet përafruese me opozitën, dhe oferta juaj është roli i vëzhguesit dhe një veto mbi reformën. Parimisht, a jeni në rregull me ligjin me këtë propozim?
Këtu ka funksionuar më shumë parimi i gjithëpërfshirjes. Pra, pavarësisht se nuk ka asnjë deputet në parlament, por njëkohësisht përfaqëson një realitet politik që s’mund ta mohojmë. Sepse përfaqëson një pjesë të mirë të opozitës shqiptare, ne menduam se zgjidhja më e mirë edhe për të hapur dritaren e negocimit, sepse kjo i intereson dhe vetë PD-së që është krijimi i një statusi të veçantë vëzhguesi, por me të drejta të plota për sa i përket propozimeve, por edhe i kundërshtimeve në lidhje me reformën zgjedhore. Kjo sepse reforma zgjedhore, më shumë se forca e kartonit është një konsensus i gjithëpranuar politik.
Çfarë pritet të përmirësohet në standardet zgjedhore me këtë reformë?
Kjo reformë nuk zbatohen në zgjedhjet e 30 qershorit…
Po atëherë pse bëhet gjithë kjo zhurmë?
E para, çështjet e reformës kanë qenë detyrat e lëna që nga zgjedhjet e kaluara, por mbi të gjitha, me kërkesë të PD-së, parlamentarët gjermanë e futën këtë reformë si kusht për negociatat. Por PD-ja e braktisi këtë proces. Megjithatë, Shqipëria ka një detyrë: pra, ka disa rekomandime përpara dhe për të ecur më tej, ne menduam që ta përfshijmë edhe PD-në por dhe partitë e tjera. T’i bëjmë ndryshimet në një kohë të arsyeshme, pavarësisht se nuk ka kohë që të zbatohen këto rekomandime në këto zgjedhje. Pra kemi të bëjmë me mungesën e kohës fizike, por nuk është aspak mungesë vullneti politik për ti adresuar të gjitha rekomandimet.
Jo më larg se dje, doli një raport i parë i ODIHR-it, i cili thotë se nuk është adesuar mjaftueshëm shit-blerja e votës, që mbetet prioritet kryesor në listën e tyre me rekomandime. Si mund të zgjidhet?
Çështja e shit-blerjes së votave kam përshtypjen se është një çështje që amplifikohet më shumë se ç’është në realitet, sidomos, në ndikimin që kanë ato në rezultatin zgjedhor. E para, Kodi Penal është shumë i ashpër për shit-blerjen e votës. Shit-blerja e votës do hetime pro-aktive, e sidomos do atë që quhet: “kapja në flagrancë”! Nuk mund të hetosh shit-blerje votash një, dy apo tre vite pas zgjedhjeve.
A e kemi bërë ndonjëherë këtë ne?
Qeveria nuk ka shumë në dorë, përveçse nëpërmjet instrumentave siç është policia, në bashkëpunim me prokurorinë, si dy institucione ligjzbatuese, pasi ne nuk mund të kontrollojmë prokurorinë, ato janë pushtete gjyqësore. Por ne po punojmë për të krijuar mekanizmat e duhura, të krijojmë sa më shumë linja jeshile, që të mundësojmë sa më shumë denoncime nëse ka të tilla për shit-blerjen e votës, në mënyrë që të reagojmë në kohë. Ka pasur denoncime edhe më përpara, në ndonjë rast edhe kanë përfunduar dhe në gjykatë, por shpeshherë kanë qenë krime të vështira për t’u hetuar dhe nuk janë aq masive sa ç’pretendon opozita, që të jenë në atë masë që të ndikojnë rezultatin. Shit-blerja e votës ka jo vetëm në Shqipëri, por ndodh kudo, dhe e kanë përdorur këtë të gjitha partitë.
Partia Demokratike ka refuzuar çdo negociatë me mazhorancën pa largimin e Edi Ramës. Dhe përveç largimit të Kryeministrit, ju e dini që ata kanë peng dhe dy dosjet: atë 184 dhe 339…
Këto muhabetet e dosjeve i di, se më përmendin dhe mua aty, ato janë në Prokurori njëherë, po hetohen. Dosja 339 ka qenë për krim të organizuar, paska dalë dhe ndonjë episod për zgjedhjet, ata njerëz janë në burg, le të hetohen dhe të shkojnë para drejtësisë. Por nuk provohet në asnjë vend, që një bisedë të provojë që ka ndodhur episodi i shit-blerjes së votës. Po ashtu edhe me zgjedhjet e tjera në Dibër, se ç’lidhje kanë ato zgjedhje para 3-4 vitesh… Pra, nuk mund të bëhet element një episod, sepse në historinë njerëzore ka gjithmonë episode: ka që shkojnë mirë, ka vrasje dhe jo të thuash që “të gjithë janë vrasës”. Se ka vjedhje diku, nuk mund të thuash: “të gjithë janë hajdutë”, apo se ka shkelje diku, nuk mund të thuash që të gjithë shkelin ligjin. Pra, është absurde që një episod ta kthesh në fenomen. Fenomen do të thotë që të ketë abuzim masiv, të ndikojë me mijëra e mijëra vota.
Pra, po thoni që bëhet fjalë për raste të izoluara dhe se shit-blerja e votës nuk është një fenomen?
Patjetër që këtë po them. Pa diskutim fare, sepse ata që merren me zgjedhje po të bëjnë analiza në lidhje edhe me historikun elektoral, apo përfshirë edhe sondazhet, apo dhe të dhëna të tjera të tërthorta, nxjerrin konkluzionin që devijimi i votës me ndonjë formë të paligjshme është jashtëzakonisht i vogël. Nuk mund të ndodhë që të tjetërsohen mandatet.
Pra, me këtë po më thonë që kjo nuk ka ndodhur fare as në zgjedhjet e 2017-ës?
Ta jap me garanci të plotë. Partia Demokratike ishte shumë e dobët në 2017-ën. Erdhi mbas “çadrës” me idenë se do të kryente revolucion, po pse si kujtoni ju se njerëzit nuk i marrin mesazhet?!
Po si i komentoni ju raportet e OSBE/ODIHR-it dhe DASH-it, që nënvizojnë shit-blerjen e votës dhe presion i fortë mbi votuesit? Si i mohoni kategorikisht të gjitha këto?
Nuk po i mohoj, ekzistojnë të gjitha këto, por janë episodike. Episod ke në SHBA, episod ke në të gjithë botën. Fenomene ilegale është pjesë e natyrës njerëzore. Nuk ka qenie 100% të sakta, nuk ka shoqëri 100% të sakta, ka episode, por jo fenomene. Fenomeni është diçka që do duket botërisht, ne asgjë nuk kemi që duket botërisht, por vetëm gjëra sporadike të dala nga krime të tjera, që s’kanë lidhje fare me krimet elektorale. Dosja 339 është për trafiqe ndërkombëtare droge e histori të tjera si këto, dhe aty në përgjime e sipër paska dalë biseda e një kryetari bashkie, por çfarë thonë ata aty në përgjime?! Thonë aty që kemi blerë kaq mijë vota, kemi bërë një plan konkret, kanë të dhëna, i kanë vërtetuar?! Si?! Pra, në momentin kur këto gjëra nuk janë zbardhur, si i dinë këta këto gjëra? Zbardhen tre fjali dhe këta me hov të madh ja çfarë doli?! Pra me tre fjali që nuk thonë asgjë ngrejnë një alibi.
Pra, ju po thoni që opozita duhet të pendohet dhe të kthehet në parlament?
Opozita ka bërë një gabim të madh, e them shumë sinqerisht, sepse do të doja shumë që të kishte garë. Sepse mua dhe forca jonë politike i pëlqejmë garat, sepse garat i nxjerrin në pah njerëzit, garat nxjerrin në pah edhe strukturat politike, dhe në fund të fundit, politikani merr vlerë kur ka garë. Por ata zgjodhën një rrugë të gabuar. Si duket keq kalkuluan një gjë që do kishte një presion të madh ndërkombëtar, ose njerëzit do të dilnin në protesta masive dhe do të kishte një mosbindje masive civile të qytetarëve që do të na detyronin neve. kjo pasi ka protestues militantë politikë në këto protesta, por nuk ka popull.
KOHA JONË SONDAZH

