Dosja 184/Gjykata e Dibrës çon për gjykim katër të pandehurit
Gjykata e Dibrës ka vendosur që të pranojë kërkesën e Prokurorisë dhe të çojë për gjykim katër të pandehurit e dosjes 184. Trupa e togave të zeza vendosi që 4 të akuzuarit Nuri Meda, Drini Gjeci, Robert Aga dhe Hasan Hoti të kalojnë për gjykim. Dosja 184 e dërguar në Gjykatën e Dibrës, nga nëntë persona të hetuar, mes të cilëve ish-zyrtarë të lartë dhe biznesmenë, ka vetëm 4 të pandehur.
Kjo dosje për shit blerjen e votave në Dibër, u transferua disa herë nga Prokuroria e Dibrës në Prokurorinë për Krimet e Rënda dhe anasjellas, derisa SPAK e dërgoi atë përfundimisht në Dibër. Zvarritja e hetimit u justifikua herë pas here me numrin e madh të CD-ve të përgjimeve që duheshin transkriptuar.
Në dosjen e dërguar në gjykatë për zgjedhjet në Dibër, një nga të pandehurit është ish-shefi i Komisariatit të Policisë, Robert Aga. Ky i fundit akuzohet për “shpërdorim të detyrës”, pasi dyshohet se ka vënë punonjës të policisë në shërbim të kandidatit të majtë.
I pandehur tjetër i dosjes 184 është Nuri Mjeda, ish-administrator i njësisë administrative Tomin. Sipas prokurorisë, Mjeda ka “shpërdoruar detyrën”, duke përjashtuar nga ndihma ekonomike 39 familje, për shkak të përkatësisë së tyre partiake.
I pandehuri Hasan Hoti, ish-administratori i Lurës, akuzohet për “kanosje apo dhunim ndaj pjesëmarrësve”, pasi dyshohet se ka kërcënuar disa votues të votonin për kandidatin e Aleancës për Shqipërinë Europiane.
I pandehuri i katërt, Drini Gjeci, ish-Drejtori Arsimor i Dibrës, do të përballet me akuzën e “shpërdorimit të detyrës” dhe “kanosjes apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve”. Sipas prokurorisë, ai ka kanosur me shkarkim nga puna mësuesit në varësi që të votonin pro kandidatit të së majtës.