Dosja e Luan Dacit shkon për gjykim, avokati: Vendim i papritur dhe antiligjor
Gjykata e Posaçme vendosi sot kalimin për gjykim të çështjes gjyqtarit të KPA, Luan Daci, i cili akuzohet nga SPAK për falsifikim të dokumentave pasi në vitin 1997 ai është shkarkuar për paaftësi në punë nga KLD e kohës.
Vendimi u mor nga gjyqtarja Ilirjana Olldashi.
Avokati, Jordan Daci, e cilësoi vendimin të papritur dhe në kundërshtim me ligjin.
Jordan Daci: Veprimet janë shkelur dhe janë zëvendësuar rast pas rasti me norma ad-hoc sipas qejfit. Gjykata e kaloi për gjykim pa asnjë argument. Është vendim i paankimueshëm. Nuk ka prova të reja, fakti është shumë i thjeshtë. Një dokument që ne shkruajmë përbën apo jo dokument dhe nëse ka apo jo përmbajtje të falsifikuar. Pastaj aty ka letra pafund që nuk i duhen askujt. Akuzohet për falsifikim dokumentash.
Gjithashtu, Prokuroria e Posaçme pretendon se gjyqtari Daci nuk e ka deklaruar largimin nga detyra gjatë marrjes në pyetje në Komisionin Parlamentar Ad Hoc, në vitin 2017.
Në korrik të këtij viti Kolegji i Posaçëm i Apelimit, vendosi pezullimin nga detyra të gjyqtarit Luan Daci, deri në momentin kur do të ketë një vendim gjyqësor ndaj tij.
Gjithashtu, KPA-ja i kërkoi SPAK-ut dhe Gjykatave të vijojnë me një proces të shpejtë dhe në përputhje me parashikimet e ligjit.