Dosja e vrasjes së pengut/I vëllai mbajti peng kokainën, anglezi u ankua te…
Në dosjen e prokurorisë, në lidhje me rrëmbimin dhe vrasjen e Jan Prengës, thuhet se zanafilla e gjithë konfliktit ka qënë pikërisht në Angli, ku njëri nga 5 vëllezërit Prenga, Astrit Prenga, jeton në këtë shtet. Ai kontraktohej nga një shtetas anglez, për nxjerrjen e sasive të kokainë që vinin nga Ekuadori në drejtim të portit të Porsmuthit në Angli. Shtetasi anglez e ka përdorur disa herë Astrit Prengën për të nxjerrë lëndën narkotike nga porti, por në një rast Anglezi nuk ka qënë i rregullt me pagesën. Herën e fundit kur shtetasi anglez e ka kontraktuar për të nxjerrë drogën nga porti dhe futur në territorin anglez, ka qenë në muajin dhjetor 2019, kur anglezi i ka kërkuar Astrit Prengës, të nxjerë sasinë prej 283 kg lëndë narkotike të ardhur nga Ekuadori.
Kjo punë do të kryhej, kundrejt një pagese financiare. Astrit Prenga, ka arritur të nxjerrë lëndën narkotike së bashku me një shtetas shqiptar të quajtur Xhulian dhe një shtetas rumun por Prenga ka refuzuar ta mbajë peng kokainën, duke i vënë kusht shtetasit Anglez, që të paguante jo vetëm vlerën e punës që kishte kryer këtë herë, por edhe vlerën e prapambetur. Anglezi që në këtë rast ka qënë pritësi i 283 kg kokainë në territorin anglez, është përpjekur për ta zgjidhur privatisht situatën me Astritin por sipas burimeve të policisë dhe prokurorisë, Prenga këmbëngulte për tu shpaguar nga anglezi për pjesën tjetër të parave. Anglezi besohet se ka telefonuar në Ekuador dërguesin e kokainës, D.R. Ai është informuar mbi personin që kishte nxjerrë drogën nga porti dhe vijonte ta mbante peng, me qëllim ngritjen e nivelit të pagesës. Burimet thonë se D.R ka biseduar me Astrit Prengën, duke i pohuar që ti lironte mallin, pasi e gjithë ngarkesa ishte e tij, dhe Prenga nuk duhet t’ia prekte. Mësohet se Prenga i është përgjigjur se nuk kishte punë me të, pra me D.R por punët i kishte me shtetasin anglez që nuk kishte qenë korrekt dhe shpagimin e kërkonte nga Anglezi dhe jo nga D.R
Ky këmbëngulte se malli ishte i tij dhe disa shokëve të tij nga Shkodra dhe duhet ta lironte dhe mos e çonte dëm. Këmbëngulja e Prengës ka qenë e prerë, duke vijuar të verë kushtin numër 1 dhe pohuar se nuk kishte asnjë punë me patriotët e tij shqiptarë, por punët i kishte me anglezin, i cili e kishte lënë pa paguar. Si pasojë e mbajtjes peng të sasisë prej 283 kg kokainë dhe me qëllim për të baraspeshuar presionin, prokuroria ka dyshime të forta se D.R dhe G.Doçi kanë dakordësuar me Altin Hajrin në Shijak, për të krijuar kushtet dhe marë peng njërin nga vëllezërit Prenga në Shijak dhe pikërisht është zgjedhur Jan apo Stilian Prenga, vëllai i madh i vëllezërve Prenga. Jan Prenga, i papërfshirë në asnjë histori kriminale bëhet objektivi i sulmit për tu marë peng. Grupi që do ekzekutonte urdhërin e ardhur nga Ekuadori, ishte pikërisht në zonën e Shijakut, ku më së pari banda është përgatitur të krijojë logjistikën e mundshme, që do përdorte për të rrëmbyer Jan Prengës.
Grupit në Shqipëri i ka dalë totalisht situata jashtë kontrollit, pasi në vend që ta mernin peng ata e kanë vrarë. Astrit Prenga dhe vëllai tjetër Admir Prenga, dyshohet se kanë biseduar me D.R dhe G.Doçin, duke i kërkuar llogari se ku i kishin çuar vëllanë por besohet se ata i kanë pohuar se e dinin vendin se ku ndodhej por ata njerëzit në Shqipëri, i kishin dalë nga fjala. Shumë shpejt kjo dosje do ti kalojë për hetime të mëtejshme prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Deri në këto momente janë shpallur në kërkim 10 persona, ndërsa 5 të tjerë janë arrestuar dhe lënë në burg sot nga gjykata e Tiranës.
Burimi i shkrimit: Shqiptarja.com