Dosja ”Kurum”, BIRN: 33 urdhër-arreste, të përfshirë zyrtarë publikë dhe kompani private në trafikun e mbetjeve të rrezikshme

Nga Aleksandra Bogdani

Sipas Prokurorisë së Durrësit, hetimi për kontabandën e mbetjeve të rrezikshme drejt Tajlandës zbuloi shkelje masive të legjislacionit mjedisor nga kompanitë “Kurum International” dhe “Sokolaj” si dhe nga Agjencia Kombëtare e Mjedisit, Dogana e Durrësit dhe kompania koncesionare e terminalit lindor në portin e Durrësit. Përgjigja ishte e vonuar, por jo surprizë. Më shumë se një vit pas sekuestrimit të bujshëm në portin e Durrësit, Prokuroria konfirmoi më 24 dhjetor 2025 se konteinerët mbartnin mbi 2800 ton mbetje të rrezikshme me origjinë nga furnaltat e kompanisë “Kurum International”, duke dokumentuar me gjasë krimin më të rëndë mjedisor të dekadave të fundit në Shqipëri.

Sipas rezultateve të ekspertimit të kryer në Itali, mbetjet i përkasin kategorisë së pluhurit të furrës elektrike me qark – EAFD; të klasifikuara si të rrezikshme nga legjislacioni shqiptar dhe ai ndërkombëtar dhe me përmbajtje shumë të lartë të zinkut dhe hekurit, të shoqëruara me plumb, bakër, mangan, kalium, kalcium dhe squfur. Kontrabandimi i mbetjeve drejt Tajlandës në korrik të vitit 2024 shkaktoi një alarm ndërkombëtar, pasi organizata mjedisore “Basel Action Network” e akuzoi Shqipërinë se po shkelte konventat ndërkombëtare për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme.

Swiss Digital Desktop Reklama

Mbërritja e akt-ekspertimit të mbetjeve nga Italia ishte prova e fundit e një serie veprimesh hetimore të kryera nga Prokuroria e Durrësit, e cila kërkoi në gjykatë 33 masa sigurie për drejtuesit e kompanisë turke “Kurum”, drejtuesit e kompanisë eksportuese “Sokolaj” si dhe zyrtarë të Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, drejtorisë së Doganave në Durrës si dhe punonjësit e disa kompanive të tjera të akuzuara për shkelje të legjislacionit mbi trajtimin e mbetjeve. Sipas vendimit për masa sigurie që BIRN e disponon, eksportimi i 102 konteinerëve drejt Tajlandës në korrik të vitit 2024 tregoi se i gjithë zinxhiri mjedisor për monitorimin dhe trajtimin e mbetjeve të rrezikshme në Shqipëri nuk funksionin – ndërkohë që kompani private dhe zyrtarë publikë akuzohen se janë përfshirë në aktivitet të paligjshëm.

Swiss Digital Mobile Reklama

Në qendër të skemës qëndrojnë kompanitë “Kurum” dhe “Sokolaj” shpk, të cilat edhe pse ishin në dijeni të plotë të rrezikshmërisë së mbetjeve, akuzohen se kanë kryer falsifikime dhe veprime të tjera për të fshehur llojin e vërtetë të mbetjeve, duke shmangur detyrimet ligjore vendase dhe ndërkombëtare për trajtimin e tyre. Përveç ngarkesës së bllokuar pas alarmit të ngritur nga organizata “Basel Action Network”, hetimi ka zbuluar se kompania “Sokolaj” kishte kryer edhe tre ekporte të tjera të mbetjeve të Kurum drejt Tajlandës në periudhën nëntor 2023- korrik 2024.

Me kërkesë të Prokurorisë, Gjykata e Durrësit vendosi 33 masa sigurie për skandalin e kontrabandimit të mbetjeve të rrezikshme, mes të cilave 26 masa „arrest me burg” dhe 7 masa të „arrestit në shtëpi”.

Ndaj administratorit të kompanisë „Kurum International” Erdal Demir dhe shtatë drejtuesve të tjerë u vendosën masat e arrestit me burg për veprat penale të kontrabandës me mallra të ndaluara ose të kufizuara, falsifikimit të dokumenteve, menaxhimit të mbetjeve si dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Me të njëjtat akuza u vendosën masa arresti me burg për pronaren e kompanisë Sokolaj, Gjovana Sokolaj, ish-administratoren Oliziana Pemati dhe administratorin e një kompanie kroate, Doni Sokolaj. Ish-drejtoresha e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, Arta Dollani, drejtoresha aktuale Marjeta Përlala dhe shtatë zyrtarë të tjerë të kësaj agjencie akuzohen për veprën penale të shpërdorimit të detyrës në lidhje me dështimin e mbikëqyrjes dhe monitorimit të lejeve mjedisore ndaj kompanisë „Kurum” dhe kompanive të tjera të përfshira.

Ndaj Dollanit dhe Përlalës u vendosën masat e arrestit shtëpiak. Nën akuzë për këtë çështje janë edhe drejtuesit e kompanisë koncesionare të terminalit lindor të portit të Durrësit, EMS Albanian Port Operator, pesë nëpunës të Doganës së Durrësit, dy inspektorë të Autoritetit Portual si dhe drejtues të disa kompanive të tjera.

Biznesi me mbetjet e rrezikshme

Kompania turke “Kurum International” operon në ish-Kombinatin Metalurgjik të Elbasanit që prej vitit 1998 dhe është furnizues i rëndësishëm rajonal i shufrave të hekurit për ndërtim. Për të reduktuar ndotjen e shkaktuar nga industria, Kurum ka instaluar prej vitit 2010 një sistem filtrash për kapjen e mbetjeve të hirit nga trajtimi i gazeve të oxhakut në ish-Kombinatin Metalurgjik. Sipas deklaratave të vetmonitorimit mjedisor të kompanisë, ajo prodhon mijëra ton mbetje të rrezikshme të hirit të oxhakut çdo vit. Sipas hetimit të kryer nga prokuroret Mediana Meta dhe Suela Beluli, kompania “Kurum” ka shkelur legjislacionin dhe lejet mjedisore jo vetëm në trajtimin e tonelatave të hirit të oxhaqeve të çelikut, por edhe në trajtimin e mbetjeve të tjera jo të rrezikshme si për shembull skorjet.

Ortakëria mes kompanive “Kurum” dhe “Sokolaj” dokumentohet të ketë filluar që në vitin 2022, kohë kur “Sokolaj” dorëzoi një aplikim pranë Ministrisë së Mjedisit për t’u pajisur me autorizim eksporti. Sipas aplikimit, Sokolaj angazhohej që të blinte deri në 50 mijë ton mbetje nga Kurum deri në vitin 2029, për t’i eksportuar ato drejt Tajlandës. Pas refuzimit të autorizimit nga Ministria e Mjedisit, dy kompanitë vunë në lëvizje një plan për eksportimin e tyre në mënyrë të paligjshme.

“Mosdhënia e autorizimit nga Ministria e Mjedisit për të eksportuar këtë lloj mbetje ka bërë që shoqëria Sokolaj dhe Kurum t’i eksportojnë këto mbetje në kundërshtim me ligjin, pa autorizimin përkatës dhe duke fshehur natyrën e vërtetë të mbetjes në aktet shkresore…,” thuhet në vendimin e gjykatës. Hetimi zbulon se dy kompanitë i hapën rrugën kontrabandimit të mbetjeve të rrezikshme përmes falsifikimit të klasifikimit të tyre; ato u përshkruan në dokumente herë si oksid hekuri dhe herë si oksid zinku, të pashoqëruara me kodin e tyre.

Më 1 gusht 2023, mes kompanisë “Kurum” dhe asaj “Sokolaj” është nënshkruar një kontratë shitblerje për produktin me përshkrim Oksid Hekuri, me një çmim të ndryshueshëm sipas bursës. Sipas kontratës, kompania Kurum merr përsipër dorëzimin e mallit në Portin e Durrësit për një periudhë 1-vjeçare, së bashku me faturën dhe certifikatën e analizës. Kontrata është konfirmuar edhe nga kompania GS Minerals d.o.o me seli në Kroaci, e kontrolluar gjithashtu nga familja Sokolaj dhe është depozituar nga Kurum në Agjencinë Kombëtare të Mjedisit.

Mbi bazën e kësaj kontrate, Kurum ka lëshuar dy fatura tatimore; e para më 3 tetor 2023 me përshkrimin “Oksid zinku (në thasë) me sasi 2 mijë ton dhe e dyta me datë 16 nëntor 2023 me përshkrimin Oksid Hekuri në sasinë 852,740 kilogramë. Më pas, Kurum ka lëshuar një faturë korrigjuese jashtë sistemit të fiskalizimit për sasinë 2 mijë ton, duke e ndryshuar përshkrimin e produktit nga Oksid Zinku në Oksid Hekuri. Sipas Prokurorisë, produkti nuk ishte në të vërtetë as Oksid Hekuri dhe as Oksid Zinku, por një përbërje kimike e karakterizuar nga përmbajtje të larta të zinkut dhe hekurit… në nivele tipike të pluhurit të furrës elektrike të çelikut (EAF dust) – e klasifikuar si mbetje e rrezikshme.

Manipulimet kanë vazhduar sipas Prokurorisë edhe pasi mbetjet i janë shitur kompanisë GS Minerals d.o.o, e cila nga ana e saj i ka shitur ato te dy kompani offshore të regjistruara në Hong Kong dhe Singapor. Për shkeljet e mësipërme, Prokuroria akuzon administratorin e Kurum, Erdal Demir, i cili në bashkëpunim me Gjovana Sokolajn kanë kryer veprat penale të kontrabandës me mallra të ndaluar, falsifikimit të dokumenteve dhe pastrimit të produkteve të veprës penale. Përveç eksportit të paligjshëm, Prokuroria pretendon se mes kompanive Kurum, Sokolaj dhe GS Minerals d.o.o ka funksionuar gjithashtu një skemë e pastrimit të parave me burim aktivitetin e kontrabandës.

Kompania “Kurum” ka përfituar para nga shitja e tonelatave të mbetjeve të rrezikshme, kur në të vërtetë duhej të shpenzonte para për asgjësimin e tyre në përputhje me ligjin. Ndërkohë, kompania “Sokolaj” i ka blerë mbetjet për 75 mijë dollarë nga kompania “Kurum” dhe ka fituar mbi 242 mijë dollarë duke ia shitur ato kompanisë GS Minerals d.o.o në Kroaci, të cilën e kontrollonte po vetë. Ndërkohë, mbetjet janë shitur nga GS Minerals me pothuajse të njëjtin çmim që Sokolaj ia ka blerë kompanisë “Kurum”. “Sa më sipër, duke qenë se shoqëria GS Minerals zotërohet nga të njëjtët persona, krijohet dyshimi i arsyeshëm se kjo shoqëri është krijuar jo vetëm për të mbuluar procesin e eksportit të mbetjeve të rrezikshme me të tretët, por edhe për të mbuluar origjinën e të ardhurave të pajustifikuara,” thuhet në dokument.

Përveç transaksionit të kryer me kompaninë Sokolaj, Prokuroria e Durrësit e akuzon kompaninë Kurum edhe për shkelje të tjera mjedisore, të cilat lidhen me transferimin e një sasie të madhe mbetjesh të rrezikshme drejt kompanisë “Alliance Resource” dhe trajtimin e skorjeve përmes kompanisë Bajrami N. Sipas Prokurorisë, shoqëria Alliance Resource nuk disponon kushtet e nevojshme për trajtimin e mbetjeve të rrezikshme dhe as kapacitete për të trajtuar sasitë e stërmëdha që i kishte transferuar Kurum, ndërkohë që kompania tjetër, Bajrami N, “nuk disponon leje për përpunimin dhe trajtimin e skorjeve”, të cilat nuk dihet se ku kanë përfunduar.

Përgjegjësia shtetërore

Gjatë hetimit të skandalit me mbetje të rrezikshme, Prokuroria e Durrësit pretendon se ka zbuluar shkelje të ligjit dhe shpërdorim detyre nga drejtuesit e Agjencisë Kombëtare të Mjedisit, AKM, nga punonjës të Doganave, të Autoritetit Portual Durrës si dhe nga kompania koncesionare që menaxhon terminalin lindor, EMS Albanian Port Operator.

Prokuroria akuzon ish-drejtoreshën e AKM, Arta Dollani, drejtoreshën aktuale, Marjeta Përlala si dhe pesë zyrtarë të tjerë të këtij institucioni për shkelje në ushtrimin e detyrës si institucion mbikëqyrës dhe përgjegjës për respektimin e kritereve të sigurisë në fushën e mjedisit.

Sipas hetimit, AKM nuk ka kryer inspektime në përputhje me ligjin pranë shoqërive Kurum International, Alliance Resorce, Sokolaj dhe ESM APO, duke i hapur rrugën grumbullimit, transportimit dhe kontrabandimit të mbetjeve të rrezikshme të kodit 10 02 07*.

“Rezulton se AKM nuk ka kryer inspektime periodike tematike, por vetëm inspektime vjetore të përgjithshme, në të cilat gjithashtu evidentohen shkelje mbi rezultatet e inspektimit,” thuhet në kërkesën për masën e sigurisë.

Sipas Prokurorisë, AKM është gjithashtu përgjegjëse se nuk ka monitoruar cilësinë e vetëmonitorimeve të kompanive private, të cilat i kanë kryer ato fiktivisht dhe në shkelje të detyrimeve të diktuara nga ligji.

Një tjetër hallkë problematike në zinxhir është Drejtoria Doganore e Durrësit, e cila sipas Prokurorisë i ka trajtuar praktikat në kundërshtim me ligjin, duke lejuar eksportimin e mbetjeve të rrezikshme.

Sipas hetimit, mbetjet e rrezikshme janë depozituar nga kompania “Kurum” në terminalin lindor të portit të Durrësit, i operuar nga kompania koncesionare EMS Albania Port Operator, edhe pse kjo e fundit nuk ishte pajisur me leje mjedisore për pranimin e tyre.

Kompania EMS APO i ka dhënë kompanisë Sokolaj hapësirë për depozitimin e mbetjeve në portin e Durrësit, përmes disa kontratave të qirasë të lidhura me kompaninë GS Minerals d.o.o.

Kompania koncesionare kishte gjithashtu detyrimin që të raportonte periodikisht mbi llojin e mbetjeve që depozitonte, por nuk e ka përmbushur atë.

“Në rastin objekt hetimi, EMS APO ka pranuar në të paktën 4 raste të grumbullojë mbetje të rrezikshme, pa kryer asnjë lloj verifikimi dhe pa pasur asnjë mekanizëm sigurie për të shmangur efektet e dëmshme në mjedis dhe në shëndet,” thuhet në vendimin e gjykatës.

Masat e sigurisë

Erdal Demir Administratori i “Kurum International” në arrest me burg

Yusuf Sezai Kurum Administrator me prokurë i “Kurum” në arrest me burg

Gjovana Sokolaj Pronare e kompanisë “Sokolaj” në arrest me burg

Doni Sokolaj Administrator i kompanisë D.o.o Minerals në arrest me burg

Olizana Pemati Ish- administratore e kompanisë “Sokolaj” në arrest me burg

Mujo Ilazaj Drejtori i Transportit në kompaninë “Kurum” në arrest me burg

Rami Bunga Specialist pranë zyrës së mjedisit në “Kurum” në arrest me burg

Harun Sarica Drejtori i prodhimit të çelikut në “Kurum” në arrest me burg

Arif Shkalla Drejtues në kompaninë “Kurum” në arrest me burg

Shaban Hyseni Drejtor i departamentit te shitjeve në “Kurum” në arrest me burg

Mirjeta Zotaj Kontabiliste e kompanisë “Sokolaj” në arrest shtëpiak

Mikail Hila Aksioner i agjencisë doganore “Joti Spedition” në arrest me burg

Mbarime Koroci Aksionere e kompanisë “Alliance Resource” në arrest me burg

Nazif Bajrami Pronar i kompanisë “Bajrami N” në arrest me burg

Andon Prifti Administrator i kompanisë “Bajrami N” në arrest me burg

Petrit Qosja Person fizik në tregtinë e mbetjeve në arrest me burg

Julian Kapedani Dega e Doganës Durrës në arrest me burg

Indrit Likaj Dega e Doganës Durrës në arrest me burg

Helidon Lila Dega e Doganës Durrës në arrest me burg

Edmond Voda Dega e Doganës Durrës në arrest me burg

Shkëlqim Jakupi Dega e Doganës Durrës në arrest me burg

Florian Çimo Administrator i kompanisë koncesionare EMS APO në arrest me burg

Gazmend Sina Punonjës i kompanisë koncesionare EMS APO në arrest me burg

Ingo Hesse, administrator i kompanisë EMS APO në arrest me burg

Arta Dollani Ish- drejtoresha e Përgjithshme e AKM në arrest shtëpiak

Marjeta Përlala Drejtoresha aktuale e AKM në arrest shtëpiak

Dritan Seferaj Drejtoria e Inspektim- Kontrollit, AKM në arrest me burg

Kledina Skendo Sektori i monitorimit të lejeve mjedisore, AKM në arrest shtëpiak

Bujana Tonçiça Sektori i lejeve mjedisore, AKM në arrest shtëpiak

Evis Mellonashi Sektori i lejeve mjedisore, AKM në arrest shtëpiak

Kejdi Ahmetaj Drejtoria e Inspektimit, AKM në arrest me burg

Iva Musa Inspektore e Autoritetit Portual Durrës, arrest shtëpiak

Xhulio Golgota Inspektor i Autoritetit Portual Durrës, arrest me burg

Marrë nga BIRN

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A ka të drejtë Trumpi për Groenlandën?