Dosja ”McGonigal”, PS akuzon: PD falsifikoi firmat e 3 deputetëve. Ekspertimi grafik e konfirmon
Në një kohë që opozita kërkon përballje me kryeministrin Edi Rama në sallën e Kuvendit për dosjen ”McGonigal”, nënkryetarja e Kuvendit, Ermonela Felaj akuzon opozitën se kanë falsifikuar firmat e tre kolegëve të tyre. Fjala është për deputetët: Oerd Bylykbashi, Belind Këlliçi dhe të Agron Shehaj.
“A ka sjellje më degraduese për Parlamentin dhe për të ashtuquajturën opozitë , sesa të fallsifikojë nënshkrimet e deputetëve të vet në dokumenta të cilat i drejtohen Kuvendit? Kaq hapur bëhet kjo, saqë edhe kur deputetët janë jashtë vendit, psh Belind Këlliçi e Oerd Bylykbashi, figurojnë sikur të kenë qenë këtu e të kenë firmosur.
Lehtësisht i dukshëm e i verifikueshëm manipulimi në letra , per të plotësuar kriterin numerik që disa kërkesa të vihen në lëvizje nga Kuvendi! E përsëritur në fakt! Dhe këtë herë është koha që fallsifikatori ose fallsifikatorja të zbulohet! Ekspertimi grafik e konfirmon këtë!
Dhe jo vetëm kaq, por dhe të sanksionohet si cdo qytetar tjetër në RSh për krimin e fallsifikimit të dokumentave të parashikuar nga neni 186 i Kodit Penal! Stop fallsifaktorëve dhe gënjeshtarëve që betohen për shtet, për parlamentarizëm, për opozitë, por nuk bëjnë dot as më shumë dhe as më pak sesa çdo kundravajtës i rëndomtë i ligjit penal”, shprehet Felaj.