Dosjet e papublikuara nga Wuhan-i, ja çfarë nuk i është thënë botës
Nga Wuhani dolën rastet e para me Covid-19, dhe që prej asaj kohe nuk kanë rreshtur shkrimet, analizat dhe publikimet e gjetjeve. Së fundmi, një mori dokumentesh detajojnë sesi Kina bëri disa ngatërresa në trajtimin e saj të ditëve të para të pandemisë, duke përfshirë të dhëna të ulëta dhe jo të sakta të Covid-19 dhe javë të tëra për të diagnostikuar raste të reja.
117 faqet e dokumenteve të brendshme të gjetura nga CNN, përshkruajnë sesi zyrtarët shëndetësorë në Hubei, ku gjendet qyteti i Wuhanit dhe ku virusi u zbulua për herë të parë, u penguan nga mungesa e financimit, duke çuar në mungesa në staf dhe në pajisjet e testimit. Dokumentet zbulojnë mospërputhje midis asaj që zyrtarët dinin në fillim të shpërthimit dhe asaj që ata raportonin publikisht.
Një raport nga Hubei i shënuar “dokument i brendshëm, ju lutem mbajeni konfidencial”, tregon sesi zyrtarët lokalë raportuan më 5 shkurt 5,918 raste të reja me Covid-19, ndërkohë që numri i raportuar publikisht ishte vetëm 2,478.
Dokumentet gjithashtu zbulojnë sesi u deshën mesatarisht 23.2 ditë për të diagnostikuar rastet në muajt e parë të shpërthimit. “Nëse Kina do të kishte qenë më transparente dhe më agresive në reagimin e saj, kjo do të kishte pasur impakt në përhapjen e virusit, edhe në pjesën tjetër të botës”, thotë Dali Yang, i Këshillit të Marrëdhënieve të Jashtme.
Nga ana tjetër, raporti vë në dukje sesi më pas sistemi u përmirësua deri më 7 mars, me mbi 80 përqind të rasteve të reja të konfirmuara të diagnostikuara, që u regjistruan në sistem po atë ditë. Dosjet tregojnë se zyrtarët e shëndetësisë nuk e kuptuan madhësinë e shpërthimit apo se do të evoluonte në një krizë globale.