Drejtoresha e muzeut: 13 mijë vizitorë në “Shtëpinë me gjethe” për 2021. Të rinjtë kanë kureshtje

Muzeu Kombëtar “Shtëpia me gjethe” që prej ngritjes ka tërhequr shumë vizitorë. Metodat e përgjimeve gjatë diktaturës në Shqipëri, vijnë të shfaqura përmes ekspozitave të përhershme dhe personazheve të njohura që vuajtën dënime të rënda. Drejtoresha e Muzeut, Etleva Demollari flet për shifra të kënaqshme.

Duke pasur parasysh situatën globale pandemike, mund të themi që ka qenë një vit i kënaqshëm për sa i përket vizitueshmërisë. Kemi pasur 13 mijë vizitorë, 60% e të cilëve të huaj e pjesa tjetër vendas. Duke e krahasuar me vitin 2020 është trefishi i vizitorëve”, tha ajo.

Puna kryesore e këtij muzeu që prej ngritjes kanë qenë takimet me të rinjtë e shkollave dhe pritjes së vizitorëve.
“Kjo është një periudhë për të cilën ata kanë pak njohuri. Vizita në muze u bën shumë përshtypje. Janë objektet, filmat e dokumentet që u ngjallin më shumë kureshtje. Takimet që bëjnë me të dënuarit politikë të asaj kohe i fut më shumë në situatën e asaj periudhe dhe i bën ata të ndjejnë empati me të dënuarit politikë”, u shpreh Demollari.

Muzeu është ndërtuar në vilën e mjekut Jani Basho. Gjatë luftës godina ishte seli e gestapos dhe më pas selia qendrore e përgjimeve të shërbimit sekret në Shqipëri. Emri shtëpia me gjethe ishte referenca ndaj godinës së veshur me bimën kacavjerrëse që fshihte atë që ndodhte brenda.

SHKARKO APP