
Drejtori i Burgut të Fierit, Arben Qalliu, akuzoi Erion Veliajn se po përdor si “alibi” pretendimin se nuk po trajtohet siç duhet nga shteti, pasi kryebashkiaku refuzoi të paraqitej në Spitalin Memorial për ndërhyrjen kirurgjikale të planifikuar për nesër. Qalliu tha se Veliaj e kishte argumentuar vendimin me faktin se “nuk është gati”.
“Atëherë, pas kërkimit me ngulm të ndërhyrjes sipas avokatit dhe vetë shtetasit Erion Veliaj, duke u shprehur se po i rëndohej situata shëndetësore, sot, në mënyrë të befasishme dhe plotësisht të qetë, vetë shtetasi Erion Veliaj ka refuzuar të paraqitet pranë Spitalit Memorial Fier për të bërë të mundur ndërhyrjen, duke nënkuptuar se nuk paska qenë problem ndërhyrja, por zhurma dhe alibia për të ngritur pretendimin sikur nuk po trajtohet siç duhet nga instancat shtetërore! Pra, sot, pas një lumi kërkesash nga ana e Erion Veliajt se pse nuk po lejohej të kryhej ndërhyrja, po vetë ai refuzon ta kryejë ndërhyrjen, me motivacionin se nuk është gati!”, thuhet në njoftimin e drejtorit të Burgut të Fierit, Arben Qalliu.
Veliaj ka dhënë një tjetër shpjegim për refuzimin. Ai tha se i është drejtuar Gjykatës së Posaçme për të vendosur mbi ndërhyrjen dhe se këmbëngul të operohet në Tiranë.
“Unë i jam drejtuar GJKKO-së për të vendosur ajo mbi ndërhyrjen time kirurgjikale. Refuzoj të shkoj në spitalin Memorial Fier”, mësohet të ketë deklaruar Veliaj
