Drejtori i Kabinetit të Presidentit, Panariti: Shfaqjet butaforike represive policore gjoja anticovid nuk pinë më ujë
Drejtori i Kabinetit të Presidentit, Edmond Panariti, thotë se shfaqjet represive me policë e me gjoba nuk ndihmojnë në betejën kundër përhapjes seë pandemisë, që tashmë duket se ka mbërthyer keqas vendin tonë.
Në një postim në Facebook, Panariti shkruan se “në vend të “show” forcës nxitoni të ndihmoni dhe sqaroni njerëzit e infektuar si duhet të veprojnë, ku duhet të drejtohen, çfarë duhet të përdorin në fillim të shënjave të covid“.
Më tej, Panariti shton se te njerëzit është krijuar një konfuzion, sepse nuk ka protokoll, nuk ka transparencë dhe për pasojë vijnë dhe abuzimet.
Në vijim postimi i plotë i Edmond Panaritit
Shfaqjet butaforike represive policore gjoja anti covid pa kuptim nuk pijnë më ujë!
Infeksioni ka marrë dhenë dhe ndodhet thuajse në çdo familje.
Prandaj në vend të “show” forcës nxitoni të ndihmoni dhe sqaroni njerëzit e infektuar si duhet të veprojnë, ku duhet të drejtohen, çfarë duhet të përdorin në fillim të shënjave të covid , por edhe më pas nëse situata nuk përmirësohet?
Si duhet të veprojnë diabetikët?
Si duhet të veprojnë të sëmurët me koronare dhe kardiopatët?
E kështu me radhë.
Si duhet të veprojnë gratë shtatzëna?
Si duhet të veprojnë gratë me fëmijë në gji?
Pra shpërndani fletushka me udhëzime më çdo shtëpi, konsultore dhe ambulancë..
Njerëzit janë të hutuar, janë në panik nuk dinë çfarë të përdorin dhe mos të përdorin.. Sepse ka konfuzion, nuk ka protokoll, nuk ka transparencë dhe për rrjedhojë ka abuzim.
Dikush të thotë merr këtë, tjetri merr atë, tjetri mos merr asnjërën..
Sepse nuk ka një orientim, nuk ka një protokoll, nuk ka një plan dhe nuk ka një vijë, prandaj nuk kemi asgjë në vijë.