Drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj: Më 1 korrik nis rimbursimi 10% i faturave për rreth 10 mijë fermerë
Drejtori i përgjithshëm i Tatimeve, Ilir Binaj bëri të ditur sot se më 1 korrik nis procesi i rimbursimit të fermerëve në masën 10% të vlerës së faturave, ndërsa numri i përfituesve llogaritet të jetë rreth 10 mijë fermerë në të gjithë vendin.
Në një intervistë për mediet, Binaj tha se, bazuar në përllogaritjet paraprake të administratës tatimore, fondi që pritet të përfitohet nga fermerët arrin në rreth 10,7 milionë euro.
Ai nënvizoi se, krahasuar me një vit më parë, është regjistruar një rritje e ndjeshme e autofaturave, duke reflektuar zgjerimin e formalizimit të aktivitetit bujqësor dhe përfshirjen e më shumë fermerëve në skemë.
Sipas Binajt, administrata tatimore po përgatit të gjithë procedurën e nevojshme për nisjen e procesit të rimbursimit, duke synuar një mekanizëm sa më të thjeshtë dhe të aksesueshëm për fermerët.
“Brenda datës 23 qershor do të informojmë fermerët për mënyrën dhe procedurat e aplikimit. Po punohet për një zgjidhje digjitale, në mënyrë që aplikimet të kryhen online dhe procesi të jetë sa më i lehtë”, u shpreh ai.
Kreu i Tatimeve u bëri thirrje fermerëve që të hapin sa më parë llogari bankare, pasi pagesat e rimbursimit do të transferohen drejtpërdrejt në llogaritë e tyre.
Binaj theksoi se aplikimet do të nisin zyrtarisht më 1 korrik, sipas procedurave që do të përcaktohen nga administrata tatimore, ndërsa skema synon të mbështesë fermerët dhe të nxisë më tej formalizimin e sektorit bujqësor.
ATSH
KOHA JONË SONDAZH

