Drejtori i Policisë, Ilir Proda takim me homologun turk. Flitet për forcim të bashkëpunimit

Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda zhvilloi një vizitë zyrtare në Policinë turke në Stamboll. Delegacioni shqiptar u prit në një takim miqësor dhe të ngrohtë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë turke, Guvernatori Mahmut Demirtaş. Ky i fundit e përgëzoi Prodën për frymën e re të bashkëpunimit dhe vendosmërinë për të forcuar më tej marrëdhëniet me partnerët dhe me agjencitë ligjzbatuese ndërkombëtare. Ai shprehu gatishmërinë që Policia turke të vazhdojë të jetë një mbështetje e fuqishme për Policinë e Shtetit.

Drejtor Proda e falënderoi homologun turk, për pritjen dhe për mbështetjen, dhe e njohu atë me vizionin e tij për një transformim të mëtejshëm të Policisë së Shtetit, me një shërbim gjithnjë e më cilësor për qytetarët dhe një forcë policore më profesionale dhe të besueshme në përballjen me krimin e organizuar dhe terrorizmin. Në këtë takim u theksua se marrëdhëniet ndërmjet dy policive janë ndërtuar mbi një partneritet strategjik dhe një histori të gjatë bashkëpunimi, i cili është intensifikuar në vazhdimësi për të përballuar sfidat e përbashkëta të sigurisë.

Gjatë bisedës, drejtuesit vlerësuan se bashkëpunimi mes Policisë së Shtetit dhe Policisë turke është i gjithanshëm dhe nuk njeh barriera. Ai shtrihet në fusha kyçe si: lufta kundër krimit të organizuar dhe narkotikëve; bashkëpunimi në fushën e antiterrorizmit dhe të sigurisë publike; kapja, arrestimi dhe ekstradimi i shtetasve në kërkim ndërkombëtar; mbështetja logjistike dhe teknologjike pas sulmeve kibernetike ndaj institucioneve shqiptare; arsimi dhe trajnimi i përbashkët i punonjësve të Policisë, si dhe menaxhimi i kufijve dhe i migracionit.

Swiss Digital Desktop Reklama

Në përfundim të vizitës zyrtare në Stamboll, delegacioni shqiptar, i shoqëruar nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Turke, vizitoi Panairin Ndërkombëtar të Industrisë së Mbrojtjes (IDEF 2025), ku u njoh nga afër me teknologjitë më të fundit në fushën e sigurisë dhe mbrojtjes.

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A e liron Gjykata Kushtetuese nga burgu, Erion Veliajn?