Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Cara: Janë shuar 23 vatra zjarri, 12 janë ende aktive
Drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara deklaroi sot se gjatë 24 orëve të fundit janë shuar 23 vatra zjarri, ndërsa janë 12 aktive. ”Kemi mbrojtur çdo banesë, përveç rastit të një banese druri në Shëngjin, falë ndërhyrjes së shpejtë të forcave operacionale të zjarrfikëses dhe strukturave të tjera që normalisht kanë qenë një mbështetje. Banesat kanë qenë të rrezikuara në disa raste, por kemi punuar që t’i evakuojmë banorët”, tha ai.
Cara u shpreh se duhet vënë theksin tek jeta e banorëve, por edhe tek banesa apo bizneset që ata kanë mundur të bëjnë deri sot. ”Shumë shtete të tjera që kanë të gjitha pajisjet po përballen me zjarre ku janë shënuar humbje jete, janë djegur edhe banesa ndaj mendoj që strukturat operacionale dhe organizatat ligjzbatuese kanë qenë në nivele shumë të larta”, theksoi Cara.
Ai vlerësoi edhe bashkëpunimet me vendet fqinje, duke i cilësuar si shumë të mira dhe produktive. Po ashtu, drejtori i Shërbimit Zjarrfikës u bëri thirrje qytetarëve që të zbatojnë ligjin dhe të mos provokojnë zjarre në këto ditë të nxehta.