Drejtorja Ekzekutive e Grupit Balfin zgjidhet Zv. Presidente e Dhomës Amerikane të Tregtisë

Më 15 tetor, anëtarët e Dhomës Amerikane të Tregtisë, përmes sistemit të votimit në internet, zgjodhën Edlira Mukën, Drejtoreshë Ekzekutive e Grupit Balfin, si Zëvendës Presidente të Bordit të organizatës. Në këtë takim morën pjesë ministrja e Financave dhe Ekonomisë Anila Denaj, Ambasadorja amerikane Yuri Kim, anëtarët e AmCham dhe përfaqësues të bizneseve amerikane, ndërkombëtare dhe shqiptare.
Presidenti i AmCham në Shqipëri Enio Jaço foli për arritjet e Dhomës gjatë 20 viteve të saj dhe prezantoi një përmbledhje të punës së AmCham gjatë vitit të kaluar. Presidenti Jaço theksoi rolin e rëndësishëm që AmCham ka luajtur gjatë viteve në mbrojtjen e të drejtave të komunitetit të biznesit. Presidenti i AmCham-it Jaço tha se marrëveshja e fundit ekonomike Shqipëri-SHBA ishte historike, duke e përshkruar atë si “një pikë kthese në lidhje me investimet amerikane në Shqipëri”.
Ambasadorja e SHBA-ve në Shqipëri Yuri Kim vlerësoi rolin e Dhomës Amerikane të Tregtisë në Shqipëri në mbështetjen e përmirësimit të klimës së biznesit dhe theksoi rëndësinë e forcimit të shtetit ligjor në mënyrë që të tërheqë sa më shumë investime të huaja.
Në fjalën e saj, Ministrja Denaj shprehu mbështetjen për përfaqësuesit e bizneseve amerikane si dhe angazhimin e Qeverisë Shqiptare për krijimin e një klime më të favorshme për investitorët e huaj dhe vendas.
Zëvendës Presidentja e sapo zgjedhur e AmCham, Znj. Muka, iu drejtua Asamblesë së Përgjithshme duke shpalosur vizionin e saj për të ardhmen: “Përmirësimi i klimës së biznesit dhe përgatitja për sfidat e një tregu global në të ardhmen e afërt janë dy drejtime ku unë mendoj se duhet të përqendrohemi më shumë dhe ku mund të ofroj kontributin tim për të gjithë anëtarët e AmCham ”.
Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri është një organizatë private, jofitimprurëse e promovimit dhe zhvillimit të biznesit. Përmes punës dhe shërbimeve të saj, AmCham Albania kërkon të ndërtojë një klimë më të mirë biznesi dhe të jetë përfaqësuesi kryesor për SHBA dhe biznesin ndërkombëtar në Shqipëri. Që nga themelimi i saj në Shtator 2000, Dhoma ka punuar për të rritur tregtinë midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, për të nxitur investimet e huaja në Shqipëri dhe për të përmirësuar imazhin e biznesit shqiptar në SHBA dhe tregjet ndërkombëtare. Anëtarësia e AmCham është rritur në mënyrë të vazhdueshme gjatë dekadës së kaluar dhe tani arrin në 220 anëtarë aktivë që përfaqësojnë bizneset më produktive dhe më të suksesshme që operojnë në Shqipëri.
Grupi BALFIN është një nga grupet më të rëndësishme dhe më të suksesshme të investimeve në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me një xhiro neto të pakonsoliduar prej më shumë se 620 milion EUR për 2019.
Gjeografikisht, BALFIN Group është i pranishëm në Austri, Shqipëri, Kosovë, Bosnjë dhe Hercegovinë, Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Holandë, duke punësuar afërsisht 6,000 njerëz. Aktivitetet e Grupit BALFIN përfshijnë zhvillimin dhe menaxhimin e pasurive të paluajtshme, shitjes me pakicë, industrisë minerare, bankave, turizmit, energjisë, logjistikës, etj.
Grupi BALFIN po rritet në mënyrë të vazhdueshme dhe ka një ndikim pozitiv në komunitetet fqinje përmes zhvillimit ekonomik, rritjes së punësimit dhe investimeve sociale.

 

SHKARKO APP