Protesta/Dritan Goxhaj: Ne jemi këtu jo për t’u ndarë, por për t’u bashkuar; jemi këtu për të ndryshuar sistemin e korruptuar e jo për të urryer njeri-tjetrin…

Sonte protesta e përnatshme pati një fjalim të veçantë, patriotik, paqedashës dhe vizionar. Ishte një prej drejtuesve kryesorë të Protestës, Dritan Goxhaj që mbajti një fjalim të mbresëlënës dhe që u duartrokit nga protestuesit. Mund të thuhet se ky ishte fjalimi me i zgjuar dhe patriotik që kur ka filluar Protesta.

Ja fjala e tij e plotë:

Të dashur shqiptarë,

Swiss Digital Desktop Reklama

Të dashur bashkëprotestues,

Swiss Digital Mobile Reklama

Të dashur bashkëqytetarë,

Ne këtu, së bashku, me kontributin e gjithësecilit prej nesh, pa përjashtim, kemi bërë për tre muaj atë që në këtë vend nuk ishte bërë për 36 vite.

Në 90 ditë, Shqipëria dhe revolucioni që ne po bëjmë kanë qenë pjesë e çdo diskutimi anembanë botës. Në 90 ditë, kjo protestë u bë kryefjala e çdo takimi shoqëror e darke familjare. U bë kryefjala e çdo koncerti dhe feste. U bë kryetitull në mediat më prestigjioze botërore, u bë temë diskutimi në Parlamentin Europian dhe, në fund, duket se kjo protestë do të ketë një zë edhe në Senatin Amerikan.

Me pak fjalë, kjo lëvizje e shqiptarëve është bërë frymëzim për shqiptarët kudo në botë dhe për botën ku ka shqiptarë.

Në këto 90 ditë, ne kemi luftuar përballë një regjimi që ka përdorur çdo mjet për ta ndalur këtë protestë.

Duke nisur nga linçimi publik, përdorimi i dhunës policore, tentativat për t’i ndarë protestuesit në të mirë dhe të këqij, në të majtë dhe të djathtë, në myslimanë dhe katolikë, në proamerikanë dhe antiamerikanë, në veriore dhe jugore, e deri te flamingot dhe sorrat.

Por në 90 ditë, ata nuk ia dolën.

Nuk ia dolën sepse kjo protestë nuk ka një pronar.

Nuk ia dolën sepse kjo protestë nuk ka ardhur këtu për të ngritur një njeri mbi të tjerët.

Në 90 ditë kësaj proteste i është kërkuar t’i vendoset një kokë, në mënyrë që qeveria dhe pushteti të kenë dy mundësi: ose ta blejnë, ose ta presin.

Por më kot e kanë.

Sepse kjo protestë, e ngritur kundër një autokracie, ka qenë, është dhe do të jetë një revoltë popullore që nuk ka askënd në krye.

Sepse të gjithë jemi njësoj të dhunuar nga ky regjim. Të gjithë jemi njësoj të përjashtuar dhe të gjithëve duan të na përzënë njësoj nga Shqipëria, pa na pyetur nëse jemi të majtë apo të djathtë, të vjetër apo të rinj, intelektualë apo jo.

Prandaj kjo protestë është dhe do të mbetet një protestë popullore.

Pa kryesi.

Pa përfaqësi.

Pa individë që dalin në krye të kësaj revolte.

Sepse kjo revoltë është e jona.

E të gjithëve.

Dhe pikërisht këtu qëndron forca jonë.

Në këtë shesh jemi të gjithë të ndryshëm, por të bashkuar.

Këtu ka njerëz të pakënaqur me partitë e ndryshme, njerëz që kanë votuar parti të ndryshme, njerëz që nuk kanë pasur kurrë parti dhe njerëz që nuk duan më asnjë parti.

Këtu ka njerëz që nuk u besojnë më partive dhe njerëz që nuk kanë besuar kurrë.

Këtu ka katolikë dhe myslimanë.

Këtu ka besimtarë dhe jobesimtarë.

Këtu ka veriore dhe jugore.

Këtu ka të pasur dhe të varfër.

Këtu ka të moshuar që mbajnë plagët e diktaturës dhe të rinj që nuk duan të trashëgojnë atë që kemi trashëguar ne.

Të gjithë ne jemi këtu.

Të ndryshëm, por të bashkuar.

Dhe ajo që na bashkon është shumë më e madhe se ajo që na ndan.

Dhe pikërisht për këtë duan të na ndajnë.

Sepse e dinë shumë mirë se çfarë ndodh kur shqiptarët bashkohen.

E dinë se një popull që nuk ndahet dot në të majtë e në të djathtë, në veri e në jug, në besimtarë e jobesimtarë, në të pasur e të varfër, nuk kontrollohet lehtë.

Prandaj përpiqen të na ndajnë.

Na thonë se kjo protestë është e njërit apo e tjetrit. Se këtu janë “tanët” dhe “të tyret”. Përpiqen të na bindin se duhet të zgjedhim mes njëri-tjetrit.

Por ne nuk kemi ardhur këtu për të zgjedhur mes shqiptarëve.

Kemi ardhur këtu për të zgjedhur Shqipërinë.

Dhe pikërisht këtu është forca jonë.

Ne nuk kemi nevojë të mendojmë njësoj për të qëndruar bashkë.

Nuk kemi nevojë të votojmë njësoj.

Nuk kemi nevojë të kemi të njëjtën ideologji, të njëjtin besim apo të njëjtën histori.

Mjafton të kemi një qëllim të përbashkët.

Një Shqipëri ku ligji është i njëjtë për të gjithë.

Një Shqipëri ku askush nuk është mbi ligjin.

Një Shqipëri ku vota është e lirë dhe e ndershme.

Një Shqipëri ku drejtësia nuk zgjedh kë të hetojë dhe kë të falë.

Një Shqipëri ku administrata shërben dhe nuk është pronë e pushtetit.

Një Shqipëri ku të gjithë fëmijët kanë të drejta dhe mundësi të barabarta.

Ky është qëllimi që na bashkon.

Ne nuk jemi këtu për të vendosur një emër tjetër.

Nuk jemi këtu për të krijuar një parti të re.

Nuk jemi këtu për të hapur rrugë për ambiciet e dikujt.

Ne jemi këtu për të shkërmoqur sistemin, për të rrëzuar këtë qeveri të korruptuar dhe për të ndërtuar një Shqipëri tjetër.

Ne nuk jemi për rotacion.

Jemi për ndryshim.

Nuk jemi këtu për të bërë rotacion të një sistemi të kalbur.

Jemi këtu për të ndërtuar rregulla të reja.

Rregulla ku ligji është i njëjtë për të gjithë, vota është e lirë dhe e ndershme, drejtësia nuk zgjedh, administrata shërben dhe kushdo, pavarësisht nga besimi, bindjet apo prejardhja, mund të garojë njësoj.

Sepse ky atdhe ka vend për të gjithë.

Jo për përjashtime.

Jo për përçarje.

Ka vend për të gjithë ata që duan të ndërtojnë një Shqipëri më të mirë.

Ne jemi këtu sepse nuk duam më të jetojmë në një shtet ku administrata është nepotizëm, policia është e pushtetit dhe jo e shtetit, spitalet të trajtojnë sipas kuletës dhe jo sipas sëmundjes, drejtësia zgjedh kë të hetojë dhe kë të falë.

Ne jemi këtu sepse nuk duam që arsimi të jetë luks dhe jo e drejtë.

Nuk duam që çdo gjë të blihet dhe çdo gjë të shitet.

Nuk duam që atdheu të bëhet një kantier pastrimi për para të pista.

Ne jemi këtu sepse nuk duam që fëmijët tanë të trashëgojnë këtë sistem.

Nuk duam që ata të rriten duke parë se ligji përkulet para pushtetit.

Nuk duam që ata të mësojnë se e vetmja rrugë për të pasur sukses është të kesh lidhje.

Ne duam një Shqipëri tjetër.

Një Shqipëri ku çdo fëmijë ka të njëjtat shanse.

Një Shqipëri ku të drejtat nuk blihen.

Një Shqipëri ku atdheu është prehje dhe jo barrë.

Dhe këtë Shqipëri nuk mund ta ndërtojmë të ndarë.

Prandaj, të dashur bashkëqytetarë,

Të qëndrojmë të bashkuar.

Të mos biem në provokime.

Të mos i përgjigjemi akuzave me akuza.

Të mos lejojmë askënd të na bindë se shqiptari përballë nesh është armiku ynë.

Sepse shqiptari përballë nesh nuk është armiku ynë.

Ne nuk jemi këtu për të urryer njëri-tjetrin.

Jemi këtu për të rrëzuar sistemin që na ka dëmtuar të gjithëve.

Ne nuk jemi këtu për të luftuar njëri-tjetrin.

Jemi këtu për të ndryshuar një sistem që për 36 vite ka mbajtur peng jetët tona dhe tani rrezikon të marrë peng edhe të ardhmen e fëmijëve tanë.

Dhe mbani mend:

Shqiptarët nuk ndahen në shqiptarët tanë dhe shqiptarët e tyre.

Shqiptarët janë të vetvetes dhe të Shqipërisë.

Një Shqipëri pa shqiptarë nuk është më Shqipëri.

Dhe një tokë pa njerëzit e saj nuk ka asnjë vlerë.

Ky atdhe është i të gjithëve.

Jo vetëm i dikujt.

Prandaj qëndroni bashkë.

Qëndroni bashkë për Shqipërinë.

Qëndroni bashkë për fëmijët tuaj.

Qëndroni bashkë për ata që ikën dhe për ata që duan të kthehen.

Qëndroni bashkë për ata që nuk pranuan të heshtin.

Qëndroni bashkë për një të ardhme me dinjitet.

Sepse uniteti është forca jonë.

Ne, të gjithë së bashku, do të qëndrojmë të bashkuar derisa ky regjim të bjerë dhe të krijohen kushtet e nevojshme për të pasur një demokraci funksionale.

Më pas, secili prej nesh le të bëjë atë që mendon se është më e mira për këtë vend.

Por deri atëherë, ne jemi bashkë.

Të ndryshëm.

Të barabartë.

Të bashkuar.

Për Shqipërinë.

Dhe mos e harroni: Bashkë do ia dalim.

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A mendoni se në shtator kryeministri do bëjë ndryshime në Qeveri?