Dritë në fund të tunelit/ Infermieri: Gjendja drejt stabilizimit

Mbi 135 mijë të prekur dhe mbi 17 mijë viktima, duket se në Itali ka dalë dielli dhe po shihet një rreze shprese se situata do të shkojë drejt përmirësimit. Infermieri Korab Gjana është pjesë e 30 pjesëtarëve të personelit mjekësor shqiptar, që shkuan në Itali për t’i ardhur në ndihmë vendit fqinj në luftën ndaj virusit. Ai jepn lajmin e mirë se situata përtej Adriatikut është më e stabilizuar dhe fatmirësisht rastet e të infektuarve dhe viktimave po pësojnë rënie.

“Jemi në javën e dytë të punës dhe jemi përshtatur mjaft mirë. Tani gjendja është më e stabilizuar dhe çdo gjë vazhdon mirë. Ne punojmë 40 orë në javë dhe turnet ndahen në varësi të ditëve, varet se si do të jetë nevoja. Nëse kanë pasur nevojë për një turn ekstra ne jemi të gatshëm. Gjithsesi jemi përshtatur. Trajtimi është i njëjtë dhe nuk kemi pasur vështirësi për ambientimin. Janë të njëjtat medikamente që përdoren si në Shqipëri. Shpërndarja jonë u bë në varësi të eksperiencës. Unë jam vendosur në repartin e infektivit, pasi kam bërë disa trajnime në Shqipëri. Situata në fund të marsit ka qenë pika kulminante, tashmë situata është më e stabilizuar. Edhe stafi italian ka fituar eksperiencë dhe ndahen më me rregull punët. Pacientët e shtruar janë mbi 75-vjeç. Deri më tani ka rënie, por nuk duhet që situata të neglizhohet, pasi infektohen dhe të tjerët. Italianët janë shumë mirënjohës për gjestin që ka bërë Shqipëria. Tek pacientët kur prezantohemi që jemi delegacioni i Shqipërisë, na shprehin mirënjohje”,-tha për emisionin “Shqipëria Live”.

SHKARKO APP