Dritëro Agolli: Nuk ishte koha për ndryshime në PS
(Botuar me 22 Tetor 1995 në KOHA JONE)
Intervistë me Dritero Agollin-
Si ju duken ndryshimet në kryesinë e PS në momentin e tanishëm politik?
Ndryshimet janë veprime të zakonshme në çdo parti. Ato diktohen nga situatat politike, nga domosdoshmërie e rigjallërimit të energjive brenda një partie, duke sjellë elemente të rinj, të zotët dhe aktivë. Edhe PS nga këto mendime është nisur për të larguar disa anëtarë të kryesisë dhe për t’i zëvendësuar ata me të rinj të ardhur nga rrethet, duke patur parasysh se ndodhemi para zgjedhjeve në Kuvendin Popullor dhe kërkohen njerëz të mençëm, të guximshëm dhe të devotshëm për të përballuar këtë aksion të madh politik në kushtet e një lufte të ashpër idesh dhe pikëpamjesh. Por në situatën e sotme të kësaj lufte politike herë të ndershme e herë të pandershme, këto ndryshime bëjnë bujë zhurmuese dhe marrin kuptime metaforike dhe ndofta edhe fantazmagorike, siç e ka zakon Shqipëria dhe Ballkani. Dhe ju vetë e shikoni dhe e dëgjoni se çfarë kuptimesh u jepen ndryshimeve në PS jo vetëm nga kundërshtarët, por ndonjëherë edhe nga simpatizantët. Kundërshtarët fërkojnë duart: “Mbaroi dhe kjo parti”, simpatizantët psherëtijnë “gjynah që ndodhi kështu”. Në fakt asgjë e hatashme nuk ka ndodhur, perversë një procesi të zakonshëm prej partie! E çfarë ndodhi me ndryshimet në kryesi të Partisë Demokratike? U largua kryetari i saj Eduart Selami dhe ndonjë tjetër. U bë një zhurmë e madhe nga opozita dhe nga shtypi. U lidhën këto ndryshime të PD me dështimin e saj në Referendumin e 6 Nëntorit. Por PD vazhdoi të mbetet PD. E çfarë ndodhi se në degët e PD në rrethe u ndryshuan gjithë ata kryetarë. Asgjë! Edhe zhurma u shua. Ndryshimet në PS janë shumë herë më të vogla se sa ndryshimet e ndodhura kohët e fundit në PD. Ju kujtoni se vërtet i vjen keq PD dhe Presidentit që nuk u rizgjodhën në kryesi të PS, Maqo Lakrori, Xhevat Lloshi, Bashkim Zeneli, Luan Shahollari dhe Fatmir Kumbaroja? Shtypi i PD ata nuk i ka përgojuar më pak se sa anëtarët e kryesisë që janë sot. Me të vërtetë na dashka PD që në PS të ketë një krah përparimtar? Ajo ku ta gjejë që të jenë të gjithë konservatorë jo vetëm në kryesi por edhe në gjithë PS. Prandaj keqardhja e PD dhe e Presidentit për largimin e këtyre të pestëve nga kryesia është tepër hipokrite dhe tepër e trashë njëkohësisht. Pastaj këta të pestë të larguarit mbeten anëtarë të nderuar të komitetit të përgjithshëm drejtues dhe nesër do t’i shohim edhe deputetë. Doemos, unë duke e ditur se do të bëhej zhurmë pas këtij ndryshimi dhe duke e parë situatën e ndezur politikisht, në fillim nuk isha për ta lëvizur kryesinë, aq më tepër kur përpara është edhe kongresi i PS, ku do të bëhen zgjedhjet e reja në mënyrë normale. Nga ana tjetër, në votëbesimin e fshehtë ndodh që nuk fitojnë edhe personalitete të shquara të kulturës dhe të shkencës, siç ndodhi me Xhevat Lloshin dhe Maqo Lakrorin. Dhe kjo nuk është ndonjë çudi. Njerëzit e kulturës dhe të shkencës në përgjithësi nuk e tregojnë veprimtarinë e tyre mes turmave e mitingjeve. Ata bëjnë një punë më të qetë dhe ndofta të padukshme brenda partisë me mendimet e tyre të urta dhe me idetë e pasura. Por masa e gjerë e një komiteti i mat ndonjëherë vlerat me metrin e tribunave publike, që edhe këto janë shumë të domosdoshme për çdo parti që synon të dalë fitimtare. Maqo Lakrori dhe Xhevat Lloshi këtë anën e shfaqjes karizmatike të tribunave nuk e kanë patur të ndjeshme. Kjo siç thashë, nuk e dëmton as reputacionin dhe as autoritetin e tyre në parti. Janë kurdoherë të nderuar ashtu si dhe Bashkim Zeneli, Luan Shahollari dhe Fatmir Kumbaro. Të kuptohemi. Unë nuk jam fanatik dhe nuk i trembem ndryshimeve. Nuk jam as për mbajtjen e statuskuosë, por edhe ndryshimet kërkojnë kohën e tyre. Koha e ndryshimeve në PS, sipas mendimit tim thjesht personal, nuk ishte edhe për keqkuptimin që mund të ketë brenda anëtarëve dhe simpatizantëve të PS. Por tanimë PS është një parti e madhe dhe e pjekur, ku anëtarët e saj nuk lëkunden nga asgjë, as nga propaganda e kundërshtarëve dhe as nga psherëtimat e miqve.
PS është e vetmja forcë politike e pandarë, e papërçarë. Sa të vërteta i shikoni thëniet se gjoja PS është në krizë? Cili është roli i Fatos Nanos në PS?
PS është forca politike më e organizuar në Shqipëri. Ajo është një organizëm që i funksionojnë në harmoni të plotë të gjitha ingranazhet. PS ka një traditë organizimi, ka traditën e madhe të Luftës Nacionalçlirimtare, të celulave dhe të komiteteve të dikurshme përparimtare, ka traditën e mirë dhe të zgjedhur të komunistëve të ndershëm idealistë, ka traditën e gjithë shoqërive dhe vatrave patriotike të përkushtuara; ka traditën e mbrojtjes së idealit shoqëror. Një parti me një traditë të tillë nuk mund të përçahet lehtë dhe nuk mund të jetë në krizë. Ajo është një organizëm i gjallë pa asnjë qelizë të vdekur. Ky organizëm i gjallë zien dhe lëviz përbrenda. Në PS bëhet debat i përhershëm, përplaset mendimi pluralist pa ndrojtje dhe pa frikë. PS i ka këmbët në tokë si Anteu, prandaj nuk përçahet. Janë të gjitha gënjeshtra ato fjalë që zhurmojnë për përçarjen e PS. Ata që trumbetojnë përçarjen shohin ëndrra me sy hapur. Trumbetat e përçarjes tanimë janë ngjirur me mezi dëgjohen. I dëgjojnë vetëm ata që i fryjnë. Ju pyesni se cili është roli i Fatos Nanos në PS? Fatos Nano, si një ndër intelektualët e shquar të vendit dhe një ndër politikanët më të mëdhenj aktualë, tanimë po luan një rol të ndjeshëm në marrëdhëniet ndërkombëtare të të gjithë Shqipërisë, jo pastaj të PS! Zëri i tij ndjehet në gjithë forumet botërore të së drejtës në përgjithësi dhe të mbrojtjes së lirive dhe të drejtave të njeriut në veçanti. Autoriteti i tij është rritur në dimensione të gjëra në Shqipëri dhe në botë. Kështu që në PS ai ka autoritet të plotë jo vetëm thjesht si figurë, por edhe si kryetar i saj që udhëheq konkretisht me problemet kardinale të partisë, të taktikës dhe strategjisë së saj. P.sh., mendimin për aleancat dhe koalicionet e PS me parti të tjera Fatos Nano e përpunoi në forumet e socialistëve. Muret e burgut të Bënçës nuk mund ta pengojnë Nanon që të drejtojë PS.
Ligji për gjenocidin ju përfshin edhe ju. Si do ta ndjeni veten jashtë Parlamentit?
Për mua është njëlloj si brenda ashtu edhe jashtë Parlamentit. Unë jam mësuar me shumë punë. Në fshat, kur kam qenë i ri, kam lëruar tokën, në qytet pas mbarimit të Universitetit kam punuar 15 vjet si gazetar, pastaj si sekretar dhe më vonë si Kryetar i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve. Kam hipur në kalë, në mushkë, në qerre, në traktor, në makinë, në varkë, në vapor, në helikopter dhe në aeroplan. Vetëm në gomar nuk kam hipur, ju betohem. Në gomar nuk kam hipur pasi unë rrjedh nga shtresat e përbëra, nga bejlerët. Dhe bejlerët nuk e ulnin veten t’i hipnin gomarit. Dhe pasuria ime e mëvonshme, pas ikjes nga fshati, ka qenë një laps dhe një penë. Për mua më të shtrenjta janë lapsi dhe pena, sesa Parlamenti. Por duke qenë jashtë Parlamentit, disa dritëshkurtër mendojnë se nuk do të merren me politikë. Të merresh me politikë, nuk do të thotë të jesh deputet. Ka deputetë guak sot në Parlament që nuk e kanë hapur asnjëherë gojën gjatë këtyre vjetëve, pale pastaj për të shkruar në gazeta! I lirë nga Parlamenti do të shkruaj më shumë libra, më shumë artikuj dhe estetikë. I lirë nga Parlamenti do të udhëtoj më shumë nëpër Shqipëri dhe do të provoj të hip edhe gomarin se më ka mbetur merak. Do t’ia hip gomarit dhe që nga samari i tij do të kujtoj Parlamentin, deputetët, dhe veçanërisht Presidentin. I ashtuquajturi ligj antigjenocid, një trillim politik i Sali Berishës, u shpik për t’i shërbyer fushatës së zgjedhjeve dhe veçanërisht PD, u shpik për të mos hapur dosjet e deputetëve të PD, ish spiunëve të sigurimit. Por u trillua më shumë për të mënjanuar vëmendjen e njerëzve nga kriza ekonomike, nga papunësia, nga korrupsioni i zyrtarëve të lartë dhe nga prostitucioni. Kjo është një anë. Ana tjetër, trillimi i këtij ligji është instrument i Sali Berishës në luftën për çrrënjosjen e komunizmit, është realizimi i premtimit që i ka bërë reaksionit të vjetër dhe të ri shqiptar për t’u hakmarrë ndaj patriotëve, revolucionarëve dhe idealistëve, të cilët bënë luftën nacionalçlirimtare dhe rrëzuan fashizmin. Rrëzimi i fashizmit dhe i pushtetit të shfrytëzimit të njeriut mbi njeriun ishte një tragjedi për feudalët, tregtarët, fajdexhinjtë dhe të gjithë shtypësit e vegjëlisë. Tani kjo klasë e pashpirt e mori pushtetin dhe synoi drejt shpagimit, drejt luftës me hir a me pahir kundër komunistëve që udhëhoqën luftën Nacionalçlirimtare. Edhe burgosja e komandantit të Brigadës V Shefqet Peçi, njëri nga komandantët më të lavdishëm të luftës partizane këtë tregon. Me zbatimin e këtij ligji antikushtetues Sali Berisha shpreson të marrë ndonjë njëqind vota më shumë në zgjedhje nga reaksionarët e vjetër që kanë mbetur gjallë e nga pinjollët e tyre. Zbatimi i ligjit të ashtuquajtur antigjenocid në fund të fundit përgatit dosjen gjyqësore të gjyqit të mesëm popullor ndaj Sali Berishës, shkelës i kushtetutës dhe normave ndërkombëtare të të drejtave dhe lirive të njeriut. Përgatit edhe dosjen e gjyqeve të historisë që do t’i bënin Berishës. Historia të gjitha i shënon, pret dhe dënon.
Një intelektual i njohur në një gazetë ka bërë një deklaratë të tillë: “Nuk e dua këtë Shqipëri të Sali Berishës”. Si ju tingëllon kjo thënie?
Kjo është një shprehje figurative e këtij intelektuali të njohur. Është një metonimi, me tezën e së cilës përdoret në vend të qeverisjes apo në vend të drejtimit politik të një udhëheqësi. Shqipëria nuk është e Sali Berishës, por është e shqiptarëve, nuk është as e Partisë Demokratike dhe as e partive të tjera. Doemos intelektuali me thënien e tij “nuk e dua këtë Shqipëri” shpreh një pakënaqësi dhe një dëshpërim të thellë, shpreh një deziluzion, të mos themi skepticizëm dhe pesimizëm. Ai e ndjen se drejtimi i vendit nga Sali Berisha dhe partia e tij është një drejtim prej një mikrodiktatori euforik, që kërkon të fryhet për t’u bërë një diktator i madh, megjithëse e di që koha e diktateve ka perënduar. Me veprimet e tij të mbrapshta Sali Berisha po mbjell ditë për ditë fazën e përçarjes në popull, po ndez një hakmarrje të paparë në histori jo vetëm midis individëve të veçantë, shtresave, klasave, krahinave dhe hapësirave të tëra të vendit. Dhe jo vetëm kaq. Sali Berishës nuk i mjafton sipërfaqja apo mbitoka e Shqipërisë për të hedhur këtë farë të përçarjes dhe të hakmarrjes, ai po gërmon me kazmën e tij ogurzezë nëntokën e Shqipërisë dhe nxjerr nga andej kockat e shpirtrave të skëterrës për t’ju bërë funerale prej engjëjsh dhe për të përdorur kockat e tyre si shpata kundër të gjallëve. Ai po përlesh të gjallët me njëri tjetrin, ai po përlesh edhe të vdekurit me njëri tjetrin. Me këtë përzierje dhe përleshje të tmerrshme ai gajaset së qeshuri, merr formën e harkut, fërkon duart dhe shkund pluhurin e kockave të kufomave të zhvarrosura, e shkund këtë pluhur kockash mbi të gjallët për t’i egërsuar e tërbuar më shumë. Për t’i egërsuar dhe për t’i tërbuar njerëzit Sali Berisha shpik nga mendja përditë nga një mjet a nga një send të fantazuar. Pasi shpiku idenë e çrrënjosjes së komunizmit, shpiku edhe idenë e zhvarrimit dhe varrimit. Pastaj u hodh në përmbysjen e historisë; luftëtarët kundër fashizmit i zëvendësoi me fashistët dhe tradhtarët; dekoratat që mbajnë në gjoks luftëtarët kundër fashizmit përpiqet t’ua heqë dhe t’ua vërë gjokseve të fashistëve. Me t’i bërë këto shpikje Sali Berisha u hodh në një zbulim tjetër, në atë të gjenocidit, me të cilin synon drejt një kasaphane jo vetëm psikologjike por edhe fizike. Intelektuali që thotë se nuk e do “këtë Shqipëri të Sali Berishës”, e ka fjalën për qeverisjen e korruptuar, për hedhjen e punëtorëve në mes të katër rrugëve, për papunësinë masive, për shfrytëzimin e të varfërve, për tragjedinë e rinisë që merr rrugën e kurbetit të hidhur, për prostitucionin e femrës shqiptare, për pasigurinë e jetës së njerëzve dhe për mbretërimin e krimit dhe banditizmit të padëgjuar ndonjëherë. Ky intelektual e ka fjalën për kristalizimin e një totalitarizmi të ri, që nënkupton kontrollin total shtetëror në të gjitha aspektet e jetës shoqërore të njerëzve, duke përfshirë edhe mënyrën e të menduarit. Dhe shenjat e këtij kristalizimi tanimë janë shfaqur haptazi. Institucioni i drejtësisë, domethënë gjithë pushtetit juridik është vënë nën kontrollin e Sali Berishës. Gjithë mekanizmi i Partisë Demokratike me tërë ingranazhet e tij kontrollohet nga Sali Berisha. Të gjitha veprimtaritë e partive politike shqiptare nuk mund të zhvillohen pa dijeninë dhe lejen e Sali Berishës. Tani bëhen përpjekje që lufta e ideve t’ia lërë vendin dhunës fizike. Mendoj se i nderuari intelektual, që unë nuk ja di emrin, pasi edhe ju nuk ma treguat nuk kërkon të thotë se nuk e do “këtë Shqipëri”, por do të thotë se i është mërzitur qeverisja dhe pushteti i Sali Berishës. Me këtë intelektuali na paralajmëron: “njerëz, mos më thoni pas disa viteve se nuk e kishim kuptuar Sali Berishën, se ishte ashtu koha, se nuk kishim çfarë të bënim, ishim të gënjyer. Mos u justifikoni me këto fjalë siç jeni justifikuar gjithmonë në histori pas rënies së çdo regjimi”.
Si e shpjegoni heshtjen e disa intelektualëve të shquar të prirë për demokracinë në fillim të viteve 90?
Unë mendoj se ata intelektualë që kanë qenë të prirë për demokracinë në fillim të viteve 90 nuk kanë heshtur. Janë po ata që veprojnë në skenën politike dhe shoqërore, veçse janë diferencuar në pikëpamje dhe në botëkuptime, ose janë polarizuar nëse do të na lejohej të shpreheshim në këtë mënyrë. Në fillim të lëvizjes demokratike shumica e intelektualëve ose u hodhën drejtpërdrejtë me Partinë Demokratike të porsa lindur, ose u bënë përkrahës të saj, pasi menduan se do të fillonte një periudhë e re në jetën shqiptare. Madje edhe ata intelektualë që ishin ende si anëtarë të Partisë së Punës e përkrahnin më shumë Partinë Demokratike dhe shtypin e saj, se sa të rraskapiturën dhe të shthururën Parti të Punës. Po t’ju kujtohet edhe unë e përshëndeta daljen e gazetës “Rilindja Demokratike” dhe kjo përshëndetje u botua në numrin e parë të saj. Atëherë në bllok të plotë 180 intelektualë, para zgjedhjeve të 22 marsit të 1992 nënshkruan edhe një manifest, ku bënin thirrje që Partia Socialiste nuk duhej të paraqiste kandidatë për deputetë në Kuvendin Popullor dhe duhej të hiqte dorë si presidente në këto zgjedhje. Ky ishte një manifest i turpshëm antiintelektual, pasi ngrihej kundër pluralizmit, duke kërkuar të vinte në pushtet vetëm një parti, Partia Demokratike. Kjo është një nga lajthitjet më të mëdha të intelektualëve tanë. Në këtë lajthitje bënin pjesë akademikë dhe shkrimtarë të njohur, militantë të Partisë së Punës dhe ish funksionarë të saj. Në atë kohë disa të tjerë u tërhoqën fare nga skena politike dhe kulturore ose nga frika, ose nga ndrojtja, pasi sulmet e shtypit të PD u bënë tepër të egra dhe cinike. Këta intelektualë preferuan më mirë heshtjen sesa të prisnin sulmet. Në krahun e PD nuk kalonin dot, pasi diçka të paqartë nuhatnin në programin e saj; por edhe po të hidheshin me PD, kishin frikë nga shtypi i PS. Në anën e PS druheshin të hidheshin, pasi i trembeshin opinionit, i cili mund t’i quante konservatorë dhe gazeta “RD” mund t’ua zbuste kurrizin. Por koha kaloi dhe pjesa më e madhe e intelektualëve me emër kaloi në krahun e PS dhe partive të tjera të opozitës. Edhe ata që u përpoqën të mbeteshin indiferent ose asnjanës nuk mundën. Shtypi i PD edhe se ata heshtnin herë pas here i sulmonte. Dhe ata thanë : të dalë ku të dalë, të mbytur që të mbytur! Kështu që edhe në PS, edhe në PD, erdhi një pjesë e vonuar e intelektualëve të cilët nga të dy palët u mirëpritën, siç ndodh gjithmonë në histori. Unë e kuptoj se ka edhe ndonjë intelektual të tërhequr larg jetës shoqërore dhe politike. Ka edhe të tjerë që merren vetëm me sferën e tyre kulturore e artistike. Këta bëjnë sikur nuk janë me asnjë krah, as me të djathtin as me të majtin, por tinëz e tinëz diku anojnë, veçanërisht ata të fushës së letrave. Mendimi im dihet. Intelektuali i vërtetë nuk mund të qëndrojë indiferent ndaj problemeve të shoqërisë dhe nuk mund ta fshehë dot hipokrizinë e tij politike.
Liria e fjalës dhe e mendimit është fakt, apo demagogji?
Në përgjithësi në fusha të veçanta unë mendoj se liria e fjalës dhe e mendimit është realitet. Njeriu është i lirë të shprehet me shtyp dhe me gojë. Doemos liria kurdoherë është relative dhe gjithmonë kërcënohet nga rreziqet. Nëpër gazeta fjala është e lirë. Por përderisa ka një ligj për shtypin, i cili e paralajmëron të keqen, liria nuk mund të themi se është e kufizuar. Kufizimi i lirisë së fjalës, është më shumë në shtypin zyrtar, në radio televizion, në Kinostudio dhe në hallka të tjera të mekanizmit shtetëror. P.sh. përmes televizionit nuk mund të transmetohet një këngë për komisarin partizan që vritet nga plumbi fashist në betejë, pasi komisari ishte komunist dhe shteti ynë është antikomunist. Ai që vriste komunistë në kohën e luftës kryente një akt patriotik sipas zyrtarëve tanë. A nuk u mburr në ekranin e Televizorit pinjolli i Markagjonëve, se kishte vrarë katër vajza të Mirditës pasi kishin qenë vullnetarë në hekurudhë? A nuk u prit ky kriminel nga Presidenti? Me çfarë gjyqi i vrau ky pinjoll ato vajza? Tani po burgosen partizanët që kanë vrarë armikun pa gjyq në luftë e sipër, ndërsa Markagjonët duartrokiten dhe vrasja pa gjyq e grave dhe vajzave u quhet si akt i lartë patriotizmi. Ja, këto që po them unë këtu në këtë intervistë, po t’ia jap gazetës “RD” apo TV m’i botojnë apo transmetojnë? Nuk m’i botojnë! Domethënë liria e shtypit është e kufizuar, sipas gazetave, sipas sektorëve e me radhë. A mund të shpreh lirshëm fjalën e tij një socialist që punon në administratën shtetërore? Nuk mund ta shprehë sepse pushohet nga puna. A ka pasur raste që gazetarët janë burgosur, dënuar apo proceduar për fjalën e botuar në gazetë? Ka pasur! Atëherë kësaj ne i themi liri e kufizuar e fjalës dhe e mendimit. Kur bërtitet shumë për lirinë e fjalës, kalohet në demagogji. Dhe demagogji në Shqipëri nuk ka pak. Mullinjtë e erës në Shqipëri mund të punonin pa pushuar vetëm me erën e demagogjisë. Edhe liria e zgjedhjeve është e kufizuar. Deputetët e PS u rrahën nga policët e fshehtë në zgjedhjet në Libofshë. Fusha e rrahjes u quajt nga Presidenti “lulja e demokracisë”. Ja, çfarë lirie kemi! Liri të rrethuar. Të rrethuar të lirë. Këtu në këtë rrethinë të lirë është ndryshimi me të kaluarën, pasi në të kaluarën ishe i rrethuar i burgosur.