Droga me banane në Durrës, detaji i ”harresës” që zbuloi 143 kg kokainë

”Harresa” për disa ditë e kontenierit me banane të ardhur nga Ekuadori në Portin e Durrësit, ku u gjet 143 kg kokainë, ka ngjallur dyshimin kryesor për policinë për praninë e lëndëve të jashtëligjshme brenda tij. Kontenieri ka mbërritur në Durrës 10 ditë para së shtunës, kur u finalizua operacioni “Il Mejor” dhe s’ka pasur informacion të mëparshëm në lidhje me të.

Pasi është shkarkuar nga anija ai ka qëndruar tetë ditë në pritje, derisa është paraqitur një prej administratorëve të kompanisë “Masabifruit” për tërheqjen. Referuar faktit se kontenieri transportonte produkt ushqimor dhe se në raste të ngjashme shoqëritë pritësë kanë interes ti tërheqin sa më shpejt, por lënia një javë në “harresë” e tij, ka nxitur kontrollorët ta kalojnë në kontroll të imtësishëm.

Pas sinjalit të kuq në skaner, në praninë e administatorit Klajdi Xibraku, policia hapi tavanin e tij, ku u gjet edhe sasia e drogës, me pako ku kishte të printuar foto të Pablo Eskobar, ish-bosit kolumbian të kokainës dhe logoja “El mejor”, në shqip, më e mira.

Të arrestuar janë dy administratorët e kompanisë pritëse, Klajdi Xibraku dhe Erjon Peti. Pas prangosjes ata nuk kanë pranuar të japin deklarime, duke rezervuar të drejtën për një moment të dytë.

SHKARKO APP