Droga me kontenierë në Durrës, SPAK përfundon hetimet
Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe paraqitur kërkesë për dërgimin në gjyq të procedimit penal për drogën e kapur në Durrës me anë të kontenierëve.
Të akuzuar për veprën penale ‘Trafikim të lëndëve narkotike’ janë shtetasit Gentian Malindi, Altin Myslihaka dhe Adrian Bega.
Në njoftimin e SPAK thuhet se të pandehurit janë bashkëautorë në trafikimin e një sasie lënde narkotike të llojit kokaninë, të sekuestruar në 4 (katër) kontenierë, të cilët vinin nga Ekuadori në drejtim të Shqipërisë, duke kaluar tranzit në portin e Pireut, Greqi, ngjarje e ndodhur në muajt gusht – shtator 2019.
Sipas SPAK hetimet e kësaj çështje janë zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me autoritetet greke të drejtësisë, duke organizuar edhe dorëzimin e kontrolluar të lëndës narkotike.