DROGA,vjehrri i pilotit Feka: Nuk kishte lekë për të ngrënë bukë

Vdekja e majorit Sokol Feka, në Malaga të Spanjës ka tronditur familjen e tij. Feka ishte ndarë nga ish-bashkëshortja e parë, me të cilën ka dy fëmijë dhe ishte martuar sërish, duke u bërë babai i dy fëmijëve të tjerë, ku fatkeqësisht kishte përjetuar edhe vdekjen e djalit të tij 6-vjeçar.

Vjehrri i Fekës tregon se nuk kishte asnjë dijeni se majori mund të merrej me të tilla aktivitete, madje thotë se ai jetonte në skamje.

"Të hënën në mëngjes ka biseduar në telefon vajza për herë të fundit me të. Ai i tha se do të kthehej të mërkurën por megjithatë do ta telefononte sërish në mbrëmje. Të mërkurën Erjola erdhi tek shtëpia ime e shqetësuar pasi Sokoli nuk e kishte telefonuar sërish", tregon vjehrri Etem Cenaj. Newsbomb ka hulumtuar me tej per kete ngjarje.Lidhur me dyshime të mundshme Cenaj thotë që nuk mendonte kurrë se kjo mund të ndodhte. "Vajza ime në këtë moment nuk ka lekë për të blerë bukë. Kafet për t'ju nxjerrë njerëzve sot për mort i bleva unë. Ata jetojnë me qira dhe nuk u dalin paratë përtë blerë bukë. Para tre viteve vajzës sime i ka vdekur djali i vetëm 6 vjeç. Ata kanë vuajtur shumë me djalin, pasi ishte sëmurë dhe e operuan 20 herë. Sokoli ka qenë  më parë i martuar dhe ka dy fëmijë dhe një shumë prej 120 mijë lekësh të vjetra i mbahen nga rroga për fëmijët ndërsa i mbeten nga rroga për të sjellë në shtëpi rreth 370 mijë lekë të vjetra", ka rrëfyer vjehrri i majorit Sokol Feka për gazetën "Shekulli".

Shefi i Shtabit, Bazo: Feka nuk kishte leje për tu larguar jashtë vendit

Në një dalje për mediat, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura, Jeronim Baze ka folur për ngjarjen e rëndë të ndodhur në Spanjë ku majori i FA-së, Sokol Feka humbi jetën gjatë kohës që transportonte drogë me një helikopter nga Maroku në drejtim të vendit iberik.

Bazo ka deklaruar se Feka i është bashkuar Forcave të Armatosura që prej vitit 1993 dhe është vlerësuar pozitivisht në disa prej detyrave që ai ka pasur.

Sipas Bazos, për Fekën është miratuar një leje për datat 12 deri më 31 janar, por nuk rezulton që majori të ketë kërkuar leje për të udhëtuar jashtë vendit.

“Bazuar në informacionet e marra nga agjencitë kompetente, rezulton se Feka është larguar nga Shqipëria pas lejen e autoriteteve përkatëse. Ministria e Mbrojtjes është në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet spanjolle për të hedhur më tepër dritë për ngjarjen”, ka thënë Bazo.

Kodheli: Mos denigroni figurën e Shefit të Shtabit

Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli duke folur nga salla e Kuvendit të Shqipërisë është shprehur se Sokol Feka është larguar nga Shqipëria pa lejen përkatëse. “Majori ka dalë pa leje nga Shqiperia, ka qenë me leje të zakonshme dhe ka dalë nga Shqipëria pa leje.Ju siguroj se të gjithë ushtarakët që janë larguar nga FA të mbrojtur këtu nga ky podium nga këta zotërinjtë janë larguar më së shumti vetëm sepse kanë dalë pa leje nga Republika e Shqipërisë”, ka thënë ministrja.

Kodheli ka premtuar se e vërteta do të dali në dritë, duke kërkuar nga opozita që të mos denigrojë figurën e Shefit të Shtabit të FA. “Gjithçka pas kësaj është një histori nën investigimin spanjoll. E vërteta do të dali, prandaj në ushtrinë Shqiptare ekziston policia ushtarake, agjensi inteligjente sepse ushtarakët janë njerëz të shoqërisë sonë dhe si çdo njeri i shoqërisë tonë mund të gabojë ashtu siç jam informuar deri në këto moment ka gabuar ky zotëria. Por që këtu të denigrohet apo ti vihen epitetë Shefit të Shtabit të FA, kur ai që ishte përpara e kishin mbytur ushtrinë me korrupsion për të mos thënë gjëra tjera është e patolerueshme, offensive në raport me FA dhe unë ju sugjeroj të paktën në rastin në fjalë të mateni përpara se të dilni në konkulzion”, tha Kodheli.

Sokol Feka, majori shqiptar nga Kuçova, është transportuesi i drogës, nga Maroku drejt Spanjës, që është rrëzuar me helikopterin që drejtonte në Malaga të Spanjës. Lajmi u dha nga kryeministri Edi Rama në Kuvend ndërkaq që mediat filluan të nxjerrin informacionet më të fundit. Nga burimet mësojmë se majori Feka ishte me specializim në Marok.

Autoritetet spanjolle gjetën kufomat, të cilat ishin djegur keq nga aksidenti i të martës pranë qytetit malor të Cortes de la Frontera. Mësohet se helikopteri u përplas me një shtyllë elektrike në Malaga. Eshtrat janë transferuar në Institutin e Mjekësisë Ligjore Mjekësisë e Malaga.

"Ne jemi duke punuar për të përcaktuar se sa hashash ishte në bord," tha zëdhënësi i policisë për AFP. Raportet e medias lokale shkruajnë se deri në një ton hashash u gjet nga autoritetet.

Incidenti ndodhi pasi një helikopter i Gardës Civile hyri në një rrugë të paautorizuar fluturimi. Gjatë ndjekjes, oficerët humbën shikimin, raportojnë mediat. Helikopteri ishte dëmtuar rëndë, dhe shumë pjesë të tij ishin shpërndarë në mes të shkurreve. Janë gjetur dy trupa në rrënoja së bashku me 30 pako hashash.

Majori Sokol Feka ka qenë i apasionuar edhe pas garave me makina, përveç drejtimin të helikopterëve. Në vitet e fundit ka qenë protagonist në garat Rally Albania si bashkëpilot.

Ministria e Mbrojtjes është informuar në rrugë zyrtare nga Ministria e Punëve të Jashtme të Republikës së Shqiperisë se një ngjarje e pakëndshme ka ndodhur gjatë ditës së djeshme në Spanjë, ku një pilot Shqiptar, i dyshuar Major Sokol Feka, ka qenë duke udhëtuar me një helikopter teksa është goditur nga forcat policore spanjolle, ku dyshohet se po merrej me aktivitete të paligjshme.

Guardia civile Spanjolle njoftoi se është rrëzuar një mjet fluturues akoma i paidentifikuar, i dyshuar se po merrej me aktivitet të paligjshëm. Nga verifikimet paraprake, helikopteri udhëtonte nga Maroku në Spanjë.  Si pasojë e rrëzimit të avionit piloti ka rezultuar i vdekur. Bazuar në dokumentet e gjetur rezulton se ky person të jetë shtetasi shqiptar Sokol Feka major, me detyrë instruktor në bazën ajrore të Farkës.

Ministra Mbrojtjes është duke bërë verifikimet nëse dokumentet e gjetura përkojnë me shtetasin në fjalë.  Major Feka është pjesë e Forcave të Armatosura prej 18 vitesh dhe mban gradën major që nga viti 2009. Me informacionin që Ministria e Mbrojtjes disponon, shtetasi Feka ka marrë lejen e zakonshme për periudhën 12- 31 janar 2015, por nuk ka aplikuar për leje për të dalë jashtë vendit, duke shkelur rregullat e parashikuara në ligjin për Statusin e ushtarakut në Republikën e Shqiperisë.

Përmes një shkresë zyrtare, Ministria e Mbrojtjes i ka kërkuar verifikimin urgjent të lëvizjeve të shtetasit Feka, Ministrisë  së Brendshme dhe Drejtoreshës së Përgjithshme të Policisë Shtetit.

SHKARKO APP