Drogë falas të rinjve në tren, femrat e “paguanin” edhe me seks

Policia italiane njoftoi se ka goditur një grup trafikantësh droge në Itali, i cili udhëhiqej nga një shqiptar. Në pranga ka rënë Françesk Meçaj, i dyshuar si kreu i grupit kriminal që vepronte në qytezën e Lecco-s, pranë Milanos dhe bashkë e të janë arrestuar edhe 4 marokenë dhe 3 italianë. Të arrestuarit u shpërndanin lëndë narkotike minorenëve në një tren në linjën “Besanino”, e përdorur kryesisht nga nxënës të shkollave të mesme, apo edhe studentë.  Sipas mediave italiane, banda e Meçajt ua ofronte provën e parë të drogës falas adoleshentëve, që t’i nxisnin të rinjtë të bëheshin klientë. Më pas u merrte numrat e kontaktit dhe u shisnin doza marijuhane, heroine apo kokaine. Në rastet kur të rinjtë nuk kishin para të paguanin, banda pranonte gjithashtu edhe sende me vlerë në këmbim të drogës. Sipas “Corriere Della Sera”, klientet vajza mund të paguanin drogën e siguruar edhe në këmbim të seksit. Policia italiane pas hetimeve pretendon se Françesk Meçaj konsiderohej nga klientët si një personazh i rrezikshëm. Ai  gjithmonë mbante me vete armë të ftohta dhe kërcënonte klientët të mos lidheshin me shpërndarës të tjerë. Hetimet vijojnë për të tjerë persona të përfshirë në këtë grup trafikantësh.

SHKARKO APP