
Ministria e Jashtme e Moldavisë thirri këtë mëngjes ambasadorin e Rusisë në Kishinau, Oleg Ozerov, për shpjegime. Kjo ndodhi pasi shtatë dronë rusë hynë të martën pasdite në hapësirën ajrore të vendit, përfshirë një mbi kryeqytetin. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes moldave, të paktën pesë prej dronëve u rrëzuan në territorin moldav.
Thirrja e ambasadorit rus vjen si denoncim i Moskës se po rrezikon jetën e qytetarëve të Moldavisë, raporton Euronews Albania. Incidenti ka rikthyer në qendër të vëmendjes shqetësimet për sigurinë e vendit dhe ndikimin e luftës në Ukrainë. Dronët rusë në Moldavi kanë shkelur sistematikisht hapësirën ajrore moldave që nga fillimi i pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia në shkurt 2022.
Ministria e Jashtme e Moldavisë ka regjistruar 81 incidente që përfshijnë raketa dhe dronë të prodhuar në Rusi dhe Iran. Herën e fundit që Ozerov u thirr për shpjegime ishte më 1 tetor, pas shpërthimit të një droni rus pranë fshatit Branesti, në rajonin Orhei. Ministria e Jashtme e Moldavisë e cilësoi situatën si provë e qëndrimit të Kremlinit ndaj vendit.
“Ky është imazhi i ‘paqes’ që promovon Kremlini, dronë agresivë që fluturojnë mbi kryeqytetin e një shteti të lirë dhe sovran”, thuhet në deklaratën e ministrisë, e cila shtoi se Rusia nuk e respekton Republikën e Moldavisë apo popullin e saj dhe po rrezikon jetën e tyre. Presidentja moldave Maia Sandu reagoi gjithashtu në Platformën X, ku shkroi se “Lufta e Rusës kërcënon të gjithë Evropën”.
Sipas Forcave Ajrore të Ukrainës, sulmi i kombinuar me dronë dhe raketa i Rusisë të martën u zbulua në 44 vende të ndryshme në Ukrainë. Zhvillimi vjen në një kohë kur Moldavia vijon të përballet me pasoja të drejtpërdrejta të konfliktit fqinj, ndërsa autoritetet e vendit kërkojnë llogaridhënie nga Moska për çdo shkelje të hapësirës së saj ajrore.
