Duhet të synojmë turizmin tokësor këtë vit

Viti 2020 pritet të jetë i vështirë për të gjithë bizneset e sektorit të turizmit, qoftë të vegjël apo të mëdhenj. Në kushtet aktuale, fokusi do të duhet të jetë prania në treg dhe sigurimi i mbijetesës në një kohë të vështirë. Zak Topuzi, nga Shoqata Shqiptare e Turizmit, shprehet se pikërisht kjo duhet të jetë motoja “Mos bëj biznes, por mos u zhduk nga tregu”.

Z.Topuzi shprehet se në kushtet aktuale, është e vështirë të parashikosh. Të dhënat e disa anketave të zhvilluara nga kanale të rëndësishme të turizmit në botë mund të merren si referencë edhe nga Shqipëria për të gjetur paketat që përshtaten më shumë me kërkesën e tregut. Përtej skenarëve optimistë, ai nënvizon se këtë verë do të duhet të bëhemi gati për të pushuar në bregdetin shqiptar dhe çdo lehtësim që mund të vijë nga rajoni, apo më gjerë, është bonus.

Ka një diskutim të gjerë për mënyrën sesi do të jetë fati i sektorit të turizmit këtë vit dhe ende ka shumë paqartësi mbi ecurinë e situatës së COVID-19. Në kushtet që jemi sot, a flasim dot për një sezon veror? Si e shihni ju situatën?

Kemi një kontradiktë kryesore: tendencë për hapje nga qeveritë e vendeve të BE-së për rimëkëmbjen e ekonomisë dhe rekomandimit: “mbyllje e distancim” që vjen nga OBSH për t’i shpëtuar një pandemie të mundshme në shtator. Vendet e BE po japin sinjale zgjimi dhe mundohen të “dalin” nga rreshti, duke raportuar data për hapje të përshkallëzuar individuale, por ende nuk ka një vendim përfundimtar.

Relacioni i dalë nga Mbledhja e Ministrave të Turizmit të BE më 27 prill nuk arriti në përfundim të arsyeshëm për një hapje globale. Sipas ekspertëve, do të kemi një turizëm tremujor, mendohet se shtatori do të jetë më i fuqishëm, por pa një turizëm global, industria nuk i shpëton falimentit, theksojnë ata.

Vihet theksi vazhdimisht për një turizëm të koordinuar me fqinjët dhe kryesisht me Kosovën dhe Maqedoninë e Veriut, që përbëjnë dhe shumicën. Si mund të koordinohen vendet e Ballkanit për të mbijetuar në një situatë si kjo, duke e zgjeruar hartën dhe duke rritur bashkëpunimin?

Kemi tre skenarët e mundshëm: Turizëm i Brendshëm / Turizëm Rajonal / Turizëm pa Kufizim. Mendoj se duke u nisur nga situata, ku për një kthim në normalitet do të duhet një vaksinë dhe imunitet i popullsisë, vendi duhet të përgatitet për një turizëm të brendshëm kombinuar gradualisht me turizmin rajonal.

Në sondazhin më të fundit të TripAdvisor, pyetjes bazë, si do të preferonit të udhëtonit në tre deri gjashtë muajt e ardhshëm, udhëtarët iu përgjigjën se 10 dhe 12% ndihen të sigurt në fluturimet ndërkombëtare dhe lundrimet. Do ta ndërmerrnin këtë udhëtim me veturat personale; 60% e të anketuarve dhe 40% të tjerë thanë se ndihen të sigurt në parqe. Kjo mund të nënkuptojë që udhëtimet rrugore dhe vizitat në parqet kombëtare do të ishin forma e parë e udhëtimit për t’u rikthyer turizmit.

Shqipëria mund të përfitojë nga kjo situatë, duke pasur parasysh që 80% e turistëve që vizitojnë vendin hyjnë në rrugë tokësore. Pika e dytë e fortë janë kategoritë e turistëve që vizitojnë Shqipërinë në rrugë tokësore, ku rreth 55% vijnë nga vendet fqinje si: Kosova 35%, Maqedonia Veriut 11% dhe Greqia 9%. Operatorët, në bashkëpunim me grupet e tjera të interesit, po punojnë për të paraqitur disa oferta të plota që do të kushtojnë rreth 15-20% më të lirë.

E gjithë strategjia do të varet nga kohëzgjatja e situatës së bllokimit të kufijve rajonalë. Qeveritë respektive po punojnë të arrijnë një marrëveshje kalimi kufijsh pa izolim për të lehtësuar lëvizjen turistike ndërkufitare.

Modeli i Greqisë është nga modelet më të lakuar të turizmit që ka pasur sukses edhe në kohë krizash, edhe pse kjo është një krizë atipike. Çfarë mund të mësojë Shqipëria nga modelet e turizmit. Ku duhet të jetë fokusi?

Shqipëria ka pasur një zhvillim kaotik të turizmit, pa strategji dhe masterplane zhvillimi, duke zhvilluar turizmin në format e hoteleve të vegjël me pak dhoma dhe menaxhim familjar, gjithashtu dhe apartamente apo vila të kthyera për turizëm sezonal. Pesë vitet e fundit kemi një zhvillim të resorteve dhe hoteleve të mëdha, por gjithmonë mbetemi në format fillestare, pa paketa të plota për të rritur maksimalisht të ardhurat dhe një sezon të shkurtër. Në kushtet e një kolapsi disamujor nga goditja e COVID-19, kjo lloj industrie mund të hyjë më shpejt në funksion se industria e “rëndë” greke mund t’i rezistojë një falimenti pa kthim. Greqia po përgatitet për skenarin më të keq, turizmin e brendshëm.

Sipas një sondazhi online, nga zyra e marketingut Marlab i Universitetit të Maqedonisë, 47% e grekëve planifikojnë të bëjnë pushimet verore këtë vit, shumica e tyre në gusht, Lidhur me qëndrimin e tyre: 46% do të qëndrojnë në një hotel, 19% në Airbnb, 14% në shtëpinë e miqve dhe 29% në vilën e tyre ose të prindërve.

Ky është një sondazh që mund të vlejë për të bërë disa kalkulime rreth zhvillimit të sezonit të turizmit në Shqipëri. Pra rreth 65% e pushuesve do të mund të përdorin akomodimin në hotele, vila e apartamente me qira dhe kjo do të mund të shpëtojë nga falimenti pjesën kryesore të turizmit shqiptar.

Kjo është motoja që duhet të na udhëheqë të gjithëve për pushimet e vitit 2020. Duhet të përgatitemi për të pushuar në bregdetin shqiptar këtë verë. Përvoja vjen nga Greqia.

Protokollet për të filluar funksionimin normal të aktivitetit do të vijnë me kosto të shtuara për bizneset që janë në sektor. A keni një vlerësim sot se sa pritet ta rrisë koston kjo masë te turizmi kur në fakt është një nga sektorët me marzhet më të ulëta të fitimit?

E theksuam që në fillim, ky vit do të jetë i vështirë, në kufij mbijetese. Në rastin më të mirë, mendohet se do të punohet me kapacitete të reduktuara (rreth 65%). Një pjesë e mirë e punonjësve të turizmit do ta humbin vendin e punës. Janë disa faktorë që do të ndikojnë, si zbatimi i protokolleve të mbrojtjes COVID-19, pamundësisë së kohës (pushuesit vendas kanë përfunduar lejet vjetore), rënies së konsumit dhe kufizimit të lëvizjeve të moshës së tretë.

Moto e turizmit 2020 duhet të jetë: “Mos bëj biznes, por mos u zhduk nga tregu”, e thënë shqip, mos mendo për fitimin.

Qeveria ka aplikuar dy paketa deri më tani në funksion të ndihmës për ekonominë. A mendoni se turizmi duhet të ishte trajtuar me një paketë të veçantë, në kushtet kur jemi në prag sezoni dhe ndërkohë ka pas vetes edhe një zinxhir të gjatë me industri mbështetëse, apo masat e marra janë të mjaftueshme?

Këshilli (WTTC), më datë 17 mars, ngriti shqetësimin për punonjësit e këtij sektori, pasi mund të mbeteshin pa punë ndaj propozoi tre masa jetike që qeveritë duhet të ndërmarrin. Një prej tyre është: Ndihmë financiare për punonjësit e këtij sektori që po përballen me largimet nga puna. Këshilli raporton se sot, në botë, 1 në 4, punonjës të industrisë, kanë humbur vendin e punës.

Paketa Rama 2, arriti të përfshijë këtë kategori punonjësish të industrisë të larguar nga puna. Jashtë paketës kanë mbetur punonjësit e palarguar si dhe ata sezonalë, që punojnë në këtë industri nga muaji maj deri në fund të shtatorit, që përbëjnë rreth 33 mijë vetë që mund të mbeten në kushte të vështira. Sot janë anuluar të gjitha prenotimet individuale dhe ato në grupe deri në fund të muajit qershor.

Mendoj se qeveria duhet të kishte siguruar një pagë minimale për të gjithë këta punonjës që mund të mbeten gjatë pa punë. Të mos harrojmë se ata janë një aset për vendin, pasi janë njerëz të trajnuar gjatë në sektorin e shërbimit. Gjatë pesë viteve, industria hoteliere ka investuar për të shtuar kapacitetet akomoduese dhe rritjen e standardeve, duke e futur vendin në paketat rajonale me dinjitet. Ajo ka kapitalizuar të gjitha fitimet dhe ka investuar në plotësimin e standardeve shtesë të detyrueshme për një turizëm gjithëvjetor. Marrja e kredive shtesë është pothuaj e pamundur. Industria kërkon nga qeveria mbështetje financiare me grante për të kapërcyer këtë situatë të vështirë. Këto janë zbatuar në të gjitha vendet e BE-së, por dhe rajonit.

A ka hapësira ku sektori i turizmit mund të tolerohet për të rikuperuar humbjet, apo për të siguruar mbijetesën gjatë këtij viti apo kjo është ezauruar. Si mund të mbështetet më mirë industria? A keni sot një plan që mund të koordinohet me institucionet?

Propozimi më i rëndësishëm, i dalë nga Mbledhja e Ministrave të Turizmit të BE-së, më 27 prill ishte: “Një plan europian për rimëkëmbjen e industrisë së turizmit, afatshkurtër dhe të mesëm, që synon mbështetjen ekonomike për industrinë për të siguruar një rikuperim të shpejtë, gjatë gjithë zgjatjes së krizës. Kjo duhet të vijë përmes programit SURE, i nisur nga Komisioni Europian dhe fondit të garancisë paneuropiane të krijuar nga Banka Europiane e Investimeve. Qeveria duhet të jetë e gatshme të përfitojë nga këto fonde, duke u përgatitur me projekte serioze.

Ekspertët flasin për një krizë të gjatë të industrisë së turizmit dhe udhëtimit, për të arritur në shifrat e 2019-s do të duhen tre vjet. Flasim për një krizë likuiditeti që vjen nga falimentimi i pashmangshëm i një pjese të industrisë (sot 30% e linjave ajrore kanë shpallur falimentin) dhe agjencive të vogla të cilat do të prishin zinxhirin e pagesave. Kjo e bën të pamundur kthimin e parave nga anulimi i rezervimeve. Masa e qeverisë për shtyrjen e tatimfitimit për vitin 2021 ishte vendimtare. Gjithashtu aplikimi i kredive me interes zero tek Paketa Rama 2, është një hap i rëndësishëm për t’i shpëtuar nga falimentimi i sigurt.(Monitor)

SHKARKO APP