Duka shmang komentet për Platini:Vendim i drejtë, shpenzimet e gjyqit i paguan Serbia

 

Presidenti i Federatës Shqiptare, Armando Duka, nuk e ka fshehur entuziazmin e tij pas vendimit të CAS që i dha 3 pikët në tavolinë Shqipërisë.

Duka: “Jam shumë i emocionuar, edhe pse e prisja këtë vendim. Fitoi e drejta dhe futbolli. Rëndësi ka që drejtësia u vu në vend. Rëndësi ka që nuk bëhet fajtore Shqipëria për atë ndeshje”.

Në konferencën për media, ai shmangi komentet për presidentin e UEFA-s Platini, duke theksuar se fitorja është e merituar por edhe ne duhet të nxjerrim mësimet tona, që të shmangim një dron të dytë.

Duka: “Edhe Gjykata e Arbitrazhit Sportiv na ka gjetur fajtorë për dronin dhe ne nuk mund të.. duhet të nxjerrim mësimet tona.Droni nëse ka qenë i futur në fushë nga një shqiptar është e paligjshme dhe nuk duhet të ndodhë. Nuk kemi se çfarë komentesh ti bëjmë. Por siç e ka përcaktuar vendimin ne nuk kemi qenë fajtorë për vazhdimin e ndeshjes dhe komentet janë të tepërta”.

Duka shfrytëzoi daljen ne media për të falenderuar mesazh dërguesit.

Duka: “Kam marrë jashtëzakonisht mesazhe, i pari më ka dërguar mesazh avokati dhe më ka thënë kjo është një fitore e madhe”.

Vetë avokati Hajdari u shpreh:

“CAS është një trupë që është jashtë UEFA-s dhe FIFA-s.  Akuzën që na kishte ngarkuar Komisioni i Disiplinës  ka rënë për refuzim për të luajtur në fushë, ne nuk jemi gjetur përgjegjës . Përgjegjës janë gjetu rrethana të tjera”.

Ne vijim Duka tha se shpenzimet e gjyqit do t’i paguajë pala serbe, por, sipas vendimit të CAS, për Shqipërinë mbetet gjoba 100 mijë euro për banerin me Shqipërinë autoktone.

Duka: “Vendim shumë i debatuar, i diskutuar dhe në një kohë të gjatë. E si mund të mos vinte sot. Fakti që e drejta fitoi, ne jo vetëm që morëm tre pikë, por e drejta fitoi. Nuk duhet të gjykojmë për klasifikimin e këtij grupi nëse Shqipëria do shkojë në Europian, po mesazhi që futbolli duhet të përçojë. Vendimi është goxha i gjatë. Në vija të përgjithshme nuk bën fajtor Shqipërinë për mosfutjen në fushë. Serbët do paguajnë shpenzimet e gjyqit”, tha Duka.

Lidhur me renditjen e Shqipërisë pas këtij vendimi, që e sheh veten në vend të dytë me 10 pikë (aq sa Danimarka), Duka tha se, duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë.

Duka: “Duhet të bëjmë maksimumin në 4 ndeshje, pasi janë ndeshje që mund t’i fitojmë të gjitha ose mund t’i humbim të gjitha”.

Pyetjes në lidhje me rinovimin e kontratës së trajnerit De Biasi, Duka iu përgjigj:

Duka: “Ka një kontratë deri në qershor, kemi kohë për të folur. Kemi shumë kohë pasi ne do të shkojmë në Francë dhe De Biasi do të jetë me ne atje”.

SHKARKO APP