Duma: Listat e hapura nuk e përçajnë partinë
Grida Duma, anëtare e Kryesisë së Partisë Demokratike, deklaroi në studion e Ditari në A2 se është pro listave të hapura.
“Unë mendoj që duhet të shkojmë drejt një logjike që e çon partinë politike në politike. Që do të thotë, të gjithë kandidatët që janë me peshë për t’u zgjedhur nga qytetarët, të zgjidhen nga ata. Anëtarët e PD-së presin listat e hapura me padurim sepse e kuptojnë që është njohje kontributi në atë që është vendimmarrja e parties”, theksoi Duma.
Kur u pyet nëse ka rrezik përçarjeje brenda partisë nga listat e hapura, Duma u përgjigj: “Zero rrezik. Lista e hapur ka rrezikshmëri vetëm në momentin kur nuk ka meritokraci. Lista e hapur jep kohezionin e plotë brenda grupimit politik. Ndërkohë, lista e mbyllur varet nga subjektiviteti i një ose tre individëve. Është e pamundur që një individ i vetëm të mund të zgjedhë grupimin perfekt politik duke marrë rekomandime. Ndërsa lista e hapur jep mundësi që ata që duan të kandidojnë ta kenë mendjen te njerëzit gjatë 4 ose 8 viteve opozitë. Ka ardhur momenti që kryetarët të mos e mbajnë më përgjegjësinë e përcaktimit të listës”.
Sipas Dumës, “Reforma Zgjedhore është kapital i madh politik për opozitën, edhe më shumë për Partinë Demokratike”.
“Duhet të jetë transparente, e mirëkuptuar dhe e mbështetur nga qytetarët shqiptarë. Ndërkombëtarët duhet të jenë garantë për këtë. Vullneti politik i Ramës nuk është sepse ai thotë që nuk ka krizë. Nëse nuk ka krizë, nuk flitet për ndëshkim të krimit elektoral”, u shpreh Duma.
Përsa i përket rastit më të fundit të Agim Kajmakut, Duma deklaroi se “mazhoranca nuk mund të thotë që nuk dinte gjë për rastet Kajmaku apo Babani”.
“Kryeministri del dhe bën batuta dhe nuk distancohet. Mendoj se këtu opozita ia ka arritur qëllimit 100%. Ka hequr ministra të Brendshëm dhe të nxjerrë nga sistemi deputetë me të kaluar kriminale”, tha Duma.
Në lidhje me kërkesën e PD-së për zgjedhje të parakohshme, Duma nënvizoi se Partia Demokratike është gati: “Shqipëria po pret ndryshimin, shqiptarët nuk durojnë më. Ndryshimi do të vijë nëpërmjet nesh”.