Duma: PD duhet të tregojë që ka forcë. Listat e hapura maksimizojnë votën, s’e dëmtojnë kryetarin

Në intervistën e saj për ‘Çim Peka LIVE’ në SYRI TV, ish deputetja e PD-së Grida Duma, e pyetur nga gazetari Arion Sulo lidhur me tezën e saj se, opozita duhet të jetë në protesta, është shprehur se, lidershipi i partisë duhet të tregojë se e mban fjalën e dhënë.

“Në politikë pesha e fjalës është kryesore. Thamë që do të ketë protesta në shtator. Fjala në politikë nuk mund të zhduket. Lidershipi duhet të tregojë se e mban fjalën e vetë. Partia duhet të ekzistojë për shoqërinë e jo për veten. Kollona e protestave duhet të ekzistojë. Kam bindjen se protestat do të mbahen mend, jo fjalimet. Partia duhet të tregojë që ka forcë dhe që është gjithëpërfshirëse”, u shpreh Duma.

“Vendimi i fundit me Kryesinë, Këshilli Kombëtar dhe ish grupin parlamentar, është fjalia “Rama Ik”. Unë kam thënë që duhen protesta dhe në to duhet të përfshihen të gjithë demokratët. Energjia e tyre nuk mund të lihet bosh”, shtoi ish deputetja.

Listat e hapura

E pyetur nga gazetari Bledian Koka lidhur me tezën e saj lidhur me ndryshimin e sistemit elektoral dhe “Listat e hapura”, ish deputetja e PD, Grida Duma është shprehur se kjo gjë e forcon partinë dhe nuk e dobëson kryetarin e saj.

Sipas saj, duhet të lidhim ambicien dhe karrierën e çdokujt me terrenin, jo me kryetarin e partisë.

“Unë vijoj të mendoj që kryetari ka interesin më të madh që partia të fitojë zgjedhjet. Vetëm 30% e popullatës ka durimin të ndjekë politikën. Kjo është kosto që e paguajnë të gjithë. Kundërshtari ynë do të vijojë të mbështetet tek të fortët për blerjen e votës. Pushtet ka, mandatet e ka, 2.8 milionë është Shqipëria. Një familje intimidohet edhe me një vend pune. Me çfarë do ta ndërtojmë? Duhet të lidhim ambicien dhe karrierën e çdokujt me terrenin, jo me kryetarin e partisë. Këtu debati është kush do të jetë kandidat dhe njerëzit që dalin kandidat duhet të forcohen në terren. Ne duam të maksimizojmë votën, listat e hapura e bëjnë këtë dhe nuk e penalizojnë kryetarin”, u shpreh Duma.

Sipas saj, në PD ka edhe njerëz që ndjehen të përkëdhelur nga fati.

A ka çarje mes Grida Dumës dhe Lulzim Bashës?

“Në disa momente dhe është thënë cila është miqësia? Unë nuk shoh që në PD Lulzim Basha ka ndërtuar raporte miqësore. Disa e kanë e disa jo. Këtë natyrë pune ka dhe është perfekte. Të gjitha keqpërdoren sipas dëshirës së lajmit. Kam bërë pjesë në fushatën e zotit Basha, kam bërë takime me intelektualë dhe prezenca ime në PD nuk ka qenë prej Bashës. Në mes dy individëve nuk mund të ketë çarje, por a ka një mendim ndryshe, po ka një mendim ndryshe mes meje dhe mënyrës si po bëhen gjërat tani. Pavarësisht se çfarë mund të ndodhë, unë do të mbetem loajale në vendimet e PD. Në PD ka patur gjithmonë debat, ky është momenti me më pak debat”, deklaroi Grida Duma.

SHKARKO APP