Dumani kampion i antikorrupsionit! Do të tërhiqet opozita nga gjuha e ashpër?
Shpallja kampion i antikorrupsionit të kreut të SPAK-ut Altin Dumani nga Departamenti Amerikan i Shtetit, ndezi debatin në A2 CNN në lidhje me veprimtarinë dhe standardet e prokurorisë së Posaçme. Për demokratin Ilir Alimehmeti ky është lajm pozitiv për Altin Dumanin por jo për Shqipërinë. Sipas tij në listë Ishin shtetet më të korruptuara të botës. “Patjetër pozitive për zotin Dumani, por jo për ne. Në listë Ishin shtetet më të korruptuara të botës. Atje ku është zallamahia më madhe, është dhe ky efekt. Është pozitive, është fund administrate dhe shpërndan disa certifikata”.
Sipas tij SPAK ka probleme me shpejtësinë e proceseve dhe vepron me dy standarde për mahzorancën e opozitës, ndërsa sjell në vëmendje çështjen e inceneratorëve. “Ne kemi problem me shpejtësinë e këtyre proceseve, drejtësi e vonuar është drejtësi e munguar. Lejon të ndodhë dëmi. Duhet të ndalësh hemorragjinë e parave. Ne e dimë që inceneratori nuk ekziston. Inceneratori është në SPAK dhe ne paguajmë paratë. Blloko këtë, është hemorragji parash që ikën. Po nuk i shpëtove jetën pacientin, është e kotë që të diskutosh se nga çfarë sëmundje iku ai. Ka vonesa që nuk do të doja t’i shihja, por e shoh pozitive për zotin Dumani, antikorrupsionin duam ta bëjmë me dy standarde”.
Në të njëjtën linjë edhe sekretarja për marrëdhëniet me publikun në PD, Jola Hysaj ndan mendimin për mos transparencë të shpejtë të SPAK dhe dy standardet. “Dumani ka arritur objektivat e statistikave që i janë kërkuar. SPAK nuk është nga institucionet që ka pasur transparencë të qartë, apo shpejtësinë e kryerjes së veprimeve. Duhet të kishte ndërprerje të mandatit të Veliajt dhe shkuarjes në fund të inceneratorëve”.
Për analistin Arion Sulo, vlerësimi për Dumanin ishte i pritshëm, pasi është investim amerikan. Sipas tij, SPAK momentalisht është institucioni më i besueshëm, pasi në 120 vjet shtet, shqiptarët s’kishin drejtësi, por thotë ai, është ende te fasada dhe jo te substanca. “Veprim i pritshëm nga SHBA për investimin e tyre për reformën në drejtësi e Ballkan. E kanë pasur me Dvoranin. Ky është investimi i tyre në Shqipëri. SPAK momentalisht është institucioni më i besueshëm për shkak të disa faktorëve. Ka 120 vjet shtet që ne nuk kemi drejtësi, nuk kanë drejtësi qytetarët e thjeshtë që janë të etur për drejtësi. SPAK po i merr publikut eurofinë, por jemi akoma te fasada, jo në substancë e gjykime, në standardizim në atë që ligji është i barabartë për të gjithë”.
Sulo thekson se në SPAK veprojnë dy vektorë; Rama dhe amerikanët. “Amerikanët me këtë konfirmojnë mbështetjen për kreun e SPAK dhe kjo vërteton që në SPAK veprojnë dy vektorë Rama dhe amerikanët. Është në ndikimin e Ramës, Veliajt. Për opozitën nuk kemi pasur vonesa dhe këtu kanë pasur rol SHBA, kurse te mazhoranca kemi absurditete që inceneratorët mbyllen, Veliaj nuk është në gjykatë, sterilizimi, Beqaj nuk është”.
Për analistin Plator Nesturo vlerësimi për Altin Dumanin nga SHBA është përtej emrit, por është për SPAK. “Së pari nuk është personalisht për Dumanin, por mbështetje për SPAK, që ka besueshmëri të plotë. SPAK është kthyer në fenomen që nuk ka të bëjë vetëm me emrin, por ka mbështetjen e të gjithë faktorëve ndërkombëtarë. SPAK është kthyer në fenomen që nuk ka të bëjë thjesht me drejtësinë dhe nuk kuptohet nëse politika po rrotullohet rreth SPAK-ut apo SPAK ka rrethuar politikën”.
I pyetur nëse duhet ta tërheqë opozita gjuhën e ashpër ndaj SPAK dhe Dumanit, Alimehmeti përgjigjet: “Unë jam tip institucional dhe respektoj institucionet, por çmimin e japin për individin. Unë diskutoj institucionin se është i qëndrueshëm. Nuk mund t’i lidhim çështjet me emër të përveçëm dhe mendojmë që një vend që e a pasur korrupsion në nivel endemik dhe me McGonical e kemi çuar ën nivel pandemik, dhe mendojmë që këta 20 burra e gra të SPAK do ta zgjidhin. Në parandalim të korrupsionit nuk bëjmë asgjë. Një e thjeshtë mund të ishte kufizo numrin e mandatit të zgjedhësve, ne problemin e kemi nga emrat e përveçëm. Duhet ta parandalojmë dhe jo ta zgjidhim më pas. Propozimi im është; kufizo numrin e mandateve, se uji që qëndron gjatë në një vend qelbet dhe forcohet”. /A2cnn/