Durrës, dy motra helmojnë prindërit, djegin shtëpinë dhe zhduken me paratë

Dy vajza adoleshente, motra mes tyre, janë raportuar të zhdukura në qytetin e Durrësit prej dy javësh. Orialda Kajtazi , 18 vjeçe, dhe K. Kajtazi, 15-vjeçe, rezultojnë të zhdukura që prej datës 16 korrik, çka ka bërë që të deklaroheshin fillimisht si të zhdukura nga komisariati i policisë së Durrësit.

Fillimisht  u krijua dyshimi se vajzat nga zhdukja mund të kenë qenë viktima të një trafikimi (sipas pretendimeve të mamasë së vajzave kur bëri denoncimin në polici), por më pas, nga hetimet, policia e Durrësit ka njoftuar se largimi i tyre prej shtëpisë është inskenuar nga vetë vajzat.

Ngjarja ka ndodhur që prej datës 15 korrik 2015, rreth orës 14.30, në lagjen nr. 15 Durrës, kur dy prindërit e vajzave si dhe motra e tyre e vogël janë helmuar nga ushqimi dhe dyshohet se për helmimin e tyre mund të ketë gisht dy motrat adoleshente të familjes Kajtazi. Familja Kajtazi me 5 anëtarë ka qenë duke drekuar atë ditë në një restorant të Durrësit, kur në spitalin e këtij qyteti dhe më pas në Tiranë përfunduan më pas tre familjarët e tjerë, përveç dy vajzave që janë shpallur në kërkim. Hiqmet Kajtazi 49 vjeç; Anila Kajtazi,39 vjeçe dhe vajza  më e vogël e familjes, Alketa Kajtazi, 10- vjeçe, u transportuan po atë ditë për në Spitalin Rajonal Tiranë, ku pas mjekimit që morën kaluan rrezikun për jetën.

Por një ditë më vonë, policia e  Durrësit u njoftua se është djegur shtëpia e shtetasit Hiqmet Kajtazi. Menjëherë në vendngjarje shkuan Forcat e Policisë dhe zjarrfikësja,të cilat bënë të mundur fikjen e zjarrit. Pas daljes nga spitali, kryefamiljari shkoi në banesën e tij, ku evidentoi se ajo ishte djegur, dhe se dy vajzat e vogla ishin larguar.

Ato dyshohet se për të humbur gjurmët kanë djegur banesën e tyre, duke marrë me vete: 400 000 lekë të rinj dhe 800 €, 4 telefona celularë, pasaportat, kartat e identitetit të Alketës dhe Orialdës, si dhe sendet personale. Nga hetimet që ka kryer grupi hetimor rezulton se vajzat i kanë vënë zjarrin banesës vetë, para se të largoheshin. Më 16 korrik është bërë edhe shpallja në kërkim e dy vajzave për veprat penale “shkatërrimi i pronës me zjarr”dhe “vjedhje” në bashkëpunim. Nga efektivët e Komisariatit të Policisë Durrës po punohet për gjetjen e tyre dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. Nga sistemi “TIMS”, dy motrat  nuk rezulton të jenë larguar jashtë vendit mënyrë të rregullt, megjithatë ende nuk bërë e mundur vendndodhja e tyre.

SHKARKO APP