Durrës, “lulëzojnë” sekserët e ndërtuesve. Banori paralajmëron padi në SPAK
Një muaj pas tërmetit të 26 nëntorit që shkaktoi 51 viktima dhe dëme ende të pallogaritura në banesa e pallate, në Durrës denoncohet shfaqja e seksereve të ndërtuesve.
Ky banor i një pallati në lagjen 5 të qytetit bregdetar, përdor termin “KÇK” të huazuar nga kryeministri Edi Rama për të denoncuar përpjekjet sipas tij për të mbyllur hetimet.
Ndaj paralajmëron se do ti drejtohet me kallëzim Prokurorisë së Posaçme Antikorrupsion.
“Nga nesër e mbrapa do të denoncoj në SPAK, të jetë denoncimi i parë i ndërtimeve këtu. Ai që ka bërë kate shtesë dhe ai që ka firmosur është krim, ka tentuar të vrasë të gjithë këta njerëz. Ka kursyer lekun e tij dhe ka bërë kate shtesë.”
Një muaj pas tërmetit, banorët e këtij pallati janë mes 10 mijë personave që përllogariten se kanë mbetur të pastrehë vetëm në qarkun e Durrësit.
Katër mijë janë vendosur në hotele, ndërsa 6 mijë përllogariten ata që jetojnë në cadra, kryesisht në zonat rurale.
3800 presin bonusin e qirasë, ndërsa të tjerët ngjyrën jeshile në hyrje të objektit.
“Ka një muaj që jemi rrugëve me fëmijë.”
Verifikimi ne terren i banesave është sfida dhe prioriteti i shtabit të Emergjencave.
Puna është përqëndruar në zonën e ish-Kenetës, pas të cilës nis në plazh.
68 objekte janë shembur, por shumë të tjera janë në listë.
Voda: Numri i verifikimeve arrin në 25 mijë, pa llogaritur akt-konstatimet që janë bërë në fillim.
23 viktima, qindra të plagosur dhe mijëra banesa të dëmtuara ishte bilanci i tërmetit të 26 nëntorit vetëm në Bashkinë e Durrësit.
9 zyrtarë e ndërtues kanë përfunduar në qeli për ndërtimet vrasëse dhe 9 të tjerë janë në kërkim.
Dhjetra zyrtarë e ndërtues janë ende në hetim për cilësinë e ndërtimeve.
/Ora News