Durrës, parkimet me pagesë ç’orientojnë qytetarët
Prej së hënës së kaluar, parkimi me pagesë ka nisur të zbatohet në rrugët kryesore të Durrësit, një masë e re që synon të rregullojë parkimin në qytet, por që në ditët e para ka sjellë edhe pakënaqësi e paqartësi te qytetarët. Tarifat ndryshojnë në varësi të zonës. Në rrugët kryesore të qendrës, parkimi kushton deri në 100 lekë për orë, ndërsa në zonat periferike tarifa zbret në rreth 40 lekë për orë. Pagesa kryhet përmes aplikacionit online.
Megjithatë, një pjesë e drejtuesve të automjeteve thonë se nuk kanë qenë të informuar në kohë për ndryshimin dhe mënyrën e re të pagesës. Sipas tyre, sensibilizimi para nisjes së zbatimit ka qenë i pamjaftueshëm, ndërsa tarifat konsiderohen të larta. Situata është shoqëruar edhe me gjoba nga Policia Bashkiake për automjetet që kanë parkuar pa kryer pagesën. Por, sipas raportimeve të qytetarëve, edhe zbatimi në terren nuk ka qenë pa probleme, pasi janë evidentuar vështirësi në koordinimin mes kontrolleve dhe sistemit të pagesave online.
Ndërkohë, ndryshimi duket se është pritur pozitivisht nga taksistët. Ata shprehen se hapësirat e lira të parkimit ua kanë lehtësuar lëvizjen dhe punën në qytet. Bashkia e Durrësit pritet të vendosë në dispozicion edhe kartën e rezidentit. Përmes saj, banorët do të mund të parkojnë në hapësirat e përcaktuara pranë banesave të tyre.
Parkimi me pagesë është një nga ndryshimet e reja në menaxhimin e hapësirave publike në Durrës, ndërsa ditët në vijim pritet të tregojnë nëse sistemi do të funksionojë pa problematika apo do të kërkojë ndërhyrje dhe përmirësime.

