Durrës/Tërmeti tragjik, merren në pyetje mbi 30 zyrtarë lokalë
Prokuroria e Durrësit ka nisur marrjen në pyetje të personave të përfshirë në hetimin për abuzimet me ndërtimet pas tërmetit të 26 nëntorit. Pas fazës së parë të hetimit, ku u sekuestruan rreth 200 dosje të objekteve të dëmtuara nga tërmeti, më shumë se 30 persona, mes të cilëve ndërtues, inxhinierë dhe arkitektë janë thirrur për t’u marrë në pyetje.
Me përparësi në këtë fazë të hetimit po shihen dosjet e ndërtimeve që shkaktuan viktima, ndërsa paralelisht po ecet me dosjet e pallateve të evidentuara me ndërhyrje në strukturë. Verifikimet po kryhen që nga marrja e lejes, deri te kompanitë që kanë kryer punimet dhe zbatimin e projektit në të 6 godinat që shkaktuan viktima. Po ashtu, po këqyren edhe aktkonstatimet për gjendjen e objekteve para tërmetit të 26 nëntorit. Për këtë mësohet se janë marrë në pyetje edhe zyrtarë, që kanë lëshuar firmë e vulë për ato objekte që janë shembur dhe ato që janë dëmtuar.
Gjithashtu, janë marrë në pyetje edhe kolauduesit e ndërtuesit në qytetin bregdetar të Durrësit, ndërtesat e të cilëve u shembën nga tërmeti. Prokurorët kanë sekuestruar të gjitha dosjet e ndërtimit të objekteve që janë shembur, bashkë me provat në vendin e ngjarjes. Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se 60 firma ndërtimi po hetohen, objektet e të cilave u shembën nga tërmeti i 26 nëntorit. “Deri tani kemi marrë në pyetje të paktën 30 persona, ndërkohë në hetim janë të paktën 60 firma ndërtimi, objektet e të cilave u shembën ose u dëmtuan si pasojë e tërmetit të 26 nëntorit. Është çështje ditësh, që personat përgjegjës të vihen para drejtësisë për gabimet e tyre, me apo pa dashje”, thanë burime nga grupi hetimor për ”Panorama”.
Edhe në Krujë ka nisur marrja në pyetje. Dosjet janë ndarë në tri grupime. Për pallatet në Thumanë, ku humbën jetën 24 persona, janë marrë në pyetje banorët mbi konstatimet që u kanë dhënë pas tërmetit të korrikut në vitin 2018. Së dyti, janë dosjet me pallatet e dëmtuara, ku janë marrë në pyetje projektues dhe inxhinierë dhe po ashtu po identifikohen personat, që kanë ndërhyrë në katet e para të pallateve të vjetra.