Durrësi plot me mbetje dhe inerte, edhe në zonat turistike pranë detit
Shqipëria edhe sot e kësaj dite, nuk i ka dhënë një zgjidhje përfundimtare menaxhimit te mbetjeve të të gjitha llojeve. Shembjet dhe shkatërrimet për shkak të tërmetit të 2019-ës, kanë nxjerrë edhe njëherë në pah problemin madhor që vendi ynë ka menaxhimin e mbetjeve inerte. Ne ndodhemi në fshatin bregdetar Hamallaj të Durrësit.
Pamje të tilla ne i hasim në pothuaj të 12 qarqet e vendit. Plehra të hedhura gjithandej. Ironik është fakti që pranë tyre ndërtohen vila dhe resorte luksoze, ku ndoshta jetojnë edhe politikanë që kanë në dorë politik-bërjen në mbrojtjen e mjedisit tonë.
“Koshat që ishin këtu i hoqën dhe nuk e dimë ku i kanë çuar. Gjithë kjo rezidenca këtu vijnë dhe i hedhin këtu mbeturinat. Më përpara vinin njerëzit e pushonin në hije pishash. Tani këtu nuk rrihet dot. Është të ikësh nga shtëpia”, thotë një banor.
Kurse një tjetër thotë se “Ne jemi bërë si në Afganistan këtu. Tani me ardhje e pranverës ndizet një erë. Vijnë edhe ata që mbledhin kanoçe dhe i çajnë qeset. Ne mbeturinat tona i hedhim tek ata dy koshat pak më tutje. Çfarë ndodh këtu, e di shteti”.