DW për Ismail Kadarenë: Shkrimtar universal në traditën e rrëfimit të historisë

Është ndarë sot nga jeta në orët e para të mëngjesit Ismail Kadare, në moshën 88-vjeçare. Kadare ishte një ndër shkritmarët më të mëdhenj në gjuhën shqipe. Veprat e tij janë përkthyer në dhjetëra gjuhë të ndryshme.

Ismail Kadare lindi më 28 janar 1936 në Gjirokastër si biri i një nëpunësi poste dhe drejtësie. Studioi shkencat e letërsisë deri më 1958 në Universitetin e Tiranës dhe më pasoi vazhdoi studimet për Letërsi Botërore deri më 1961 në Institutitn Gorki të Moskës.

Suskesi me “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur”
Më 1961 Kadare u kthye në Shqipëri. Vitet në vazhdim ai u bë popullor kryesisht me lirikën e tij, një zhanër që ai nuk e preferoi gjatë, duke u profilizuar me romanet, tregimet, novelat dhe esetë e tij. Romani i tij botuar më 1963 “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” (i vënë në skenën e kinemasë më 1983 me aktorët e mëdhenj Michel Piccoli dhe Marcello Mastroianni) i solli atij suksesin letrar.
Kadare pas kësaj u konsiderua si poeti kombëtar i Shqipërisë komuniste të pasluftës. Veprat letrare të tij ishin komponente e pandarë e lëndës mësimore të letërsisë. Si i vetmi autor i Shqipërisë Kadare bëri emër në botën e jashtme, kryesisht në Francë me përkthimin brilant në frëngjisht të veprave të tij nga përkthyesi i njohur Isuf Vrioni. Shumë romane dhe tregime të tij janë përkthyer në mbi 40 gjuhë në mbarë botën me miliona ekzemplarë dhe Kadare disa herë ka qenë në listën e të propozuarve për Çmimin Nobel në letërsi, ndonëse nuk e ka marrë atë deri më sot.

Shkrimtari Ismail Kadare gjatë krijimitarisë së tij të pasur letrare ka korrur edhe një sërë çmimesh prestigjoze ndërkombëtare për letërsinë, ndër të tjera:”International Booker Prize”. Ky çmim u akordohet autorëve me kushtin që veprat e tyre të jenë përkthyer në anglisht. Kur Kadare u vlerësua me “International Booker Prize” më 2005, kryetari i jurisë John Carey theksoi, se është i sigurtë që ka gjetur autorin e duhur për këtë vlerësim: “Ismail Kadare është një autor, që e pasqyron në tërësinë e saj një kulturë: Historinë, pasionin, folklorin, politikën dhe katastrofat e saj. Ai është një shkrimtar universal në traditën e rrëfimit të historisë, ashtu si ajo kthehet pas në kohë deri tek Homeri.”
Në vitin 2009 u nderua me çmimin spanjoll Princi i Asturias për Artet – çmimi më i rëndësishëm letrar në vendet spanjolle, dhe një nga çmimet letrare më prestigjoze në botë. Në vitin 2010 Ismail Kadare është nderuar në Itali me çmimin Lerici Pea.
Ismail Kadare është dekoruar nga institucioni i Presidentit të Republikës së Shqipërisë me Urdhrin “Nderi i Kombit” dhe nga shteti francez me urdhrat “Kryqi i Legjionit të Nderit” e “Oficer i Legjionit të Nderit”, bëjnë të ditur mediat në Shqipëri.

Dyjëzimet e kritikës përqendrimin politik të Kadaresë
Figura e tij ka qenë megjithatë e disktueshme sa i përket qendrimit politik. Nga njëra anë një pjesë e konsideronin atë si shkrimtar të nomenklaturës, por nga ana tjetër nën rreshtat e veprave të tij lexohen nota e forta kritike.

Në Gjermani vepra e Ismail Kadaresë është bërë e njohur nga pena e përkthyesit Joachim Röhm. Në bisedë për DW, vite më pare, Röhm e ka vlerësuar shkrimtarin: “Për Ismail Kadarenë flet integriteti letrar i matshëm i veprës së tij në tërësi, pavarësisht nga fakti se nuk ka shumë libra që na përcjellin vështrime të qarta në funksionimin e sistemeve totalitare, si romani “Kamarja e turpit” apo “Pallati i ëndrrave”. Veç kësaj: me librat e tij Kadareja ka krijuar në diktaturën staliniste më të errët, të Evropës Lindore, para së gjithash për të rinjtë, hapësira të lira intelektuale. Bashkëpunimi i Ismail Kadresë me skenën letrare gjermanishtfolëse nuk ka kaluar fare pa probleme. Përpara kthesës politike në Shqipëri në fillim të viteve 90′, kritika letrare e këtushme i brohoriste veprat e tij thuajse me të madhe si letërsi të madhe, e cila i linte menjëanë rregullat e ngurta të realizmit socialist. Pastaj mendimi për Kadarenë ndryshoi.

Dhe thuajse të njëjtët kritikë, të cilët sapo e kishin ngritur atë në qiell, e zhvendosin atë në një afëri të supozuar me regjimin stalinist, gjë që shkon deri në krijimin e çmendur të fjalëve: “Diktatura Hoxha-Kadare”. Si përkthyes unë “te Ismail Kadareja vlerësoj aftësinë e tij të disiplinës tregimtare, për krijimin e tendosjes dhe tensionit në tregim, artin e ndërrimit të ritmit, por para së gjithash gjuhën e cila është e thjeshtë, e qartë, në një farë mënyre transparente dhe e cila, megjithatë, ka aftësinë të intensifikohet për të prodhuar imazhe me fuqi dhe bukuri të jashtëzakonshme.”
Në mesin e viteve 1980 Kadare kritikoi dogmat staliniste dhe kundërshtarët e tij druheshin se shkrimtari mund të kthehej në një Václav Hável për Shqipërinë. Që nga viti 1986 ai ia kalonte fshehurazi manuskriptet botuesit francez, për t’i ruajtur ato në një kasafortë të sigurtë në Paris për publikime të mëvonshme. Autori në këtë mënyrë ishte edhe “lapidar i regjimit dhe njëkohësisht ‘i prangosur’ në rolin e tij si figurë zyrtare udhërrëfyese dhe shprësëdhënëse për disidentët intelektualë të vendit”, ka shkruar gazeta gjermane “Süddeutsche Zeitung”, në një artikull të mëhershëm kushtuar Ismail Kadaresë.

Azil në Francë dhe rikthimi në vendlindje
Në tetor 1990 Kadare bashkë me familjen në shenjë proteste kundër procesit të zvarritur të demokratizimit nga kreu i shtetit asokohe Ramiz Alia u largua nga Shqipëria dhe kërkoi strehim politik në Francë. “Të shkruarit autentik dhe diktatura janë të papajtueshme”, ka shkruar ai. “Shkrimtari është armiku i natyrshëm i diktaturës.” Në vitet 1990 Kadare u bë edhe një zë i fortë për Kosovën duke mbrojtur përpjekjet e shqiptarëve në Kosovë për vetëvendosje dhe pavarësi.

Pas ndryshimeve demokratike në Shqipëri, ai u kthye në atdhe, ku jetoi në Tiranë deri në ditën e fundit të tij (1.07.2024). DW

 

SHKARKO APP