Dy motrat e zhdukura, celularët japin sinjale se ndodhen në Jug

Në një kohë që policia e Durrësit vijon kërkimet për gjetjen e dy motrave adoleshente që pasi helmuan prindërit u larguan nga shtëpia, mësohet se ato ndodhen në zona bregdetare, në Jug të vendit. Sipas babait të vajzave, Hiqmet Kajtazit, ai kishte gjetur një letër në ballkon, ku shkruhej se “Hakun ta morëm, shtëpinë ta dogjëm dhe vajzat nuk ke për t’i parë më”.

Dy vajzat e familjes Kajtazi, Orialda 18 ­vjeç dhe motra e saj 14 vjeç me inicialet K.K. vijojnë të jenë të zhdukura. Familja akuzon policinë për neglizhencë, kurse blutë shprehen se kërkimet po vijojnë intensivisht deri në gjetjen e tyre.

Siç bën të ditur Gazeta Shqip, një informacion i detajuar, bashkë me fotot e vajzave, u është përcjellë komisariateve dhe postave policore në Sarandë, Himarë, Vlorë, etj.

Nga një verifikim në sistemin TIMS, policia ka konstatuar se vajzat nuk e kanë kaluar kufirin.

Nëse ndodhen jashtë vendit, largimi i tyre mund të jetë mundësuar nga rrugë ilegale.

Megjithatë, nga të dhënat që disponon policia e Durrësit, ka indicie që flasin për vendndodhjen e tyre në zonat bregdetare.

Kjo u mundësua nga verifikimi i valëve telefonike, pasi orët e fundit kanë mbërritur sinjale, ku celularët e vajzave janë lokalizuar në zonat jugore. 

SHKARKO APP