Dy motrat minorene helmojnë prindërit, djegin shtëpinë dhe zhduken me lekët e familjes

 

As ne filma nuk ndodh keshtu. Ngjarje e rëndë dhe e paprecedentë në Durrës. Dy të miturat helmojnë prindërit dhe i vënë zjarrin shtëpisë e më tej zhduken me miliona lekë nëpër xhepa. Ngjarja ka ndodhur në familjen Kajtazi të qytetit bregdetar.

Dy motra, njëra 17 vjeçe dhe tjetra 14, kanë guxuar të helmojnë nënën, babanë dhe motrën më të madhe. Më tej i kanë vënë zjarrin shtëpisë. Pastaj kanë rrëmbyer gjithë paratë që kishin si dhe pasaportat e familjarëve të tyre. Dhe e kanë mbyllur këtë “mision”, me zhdukjen që zgjat edhe sot pasi ka nisur që prej plot tre javësh.

NOA zbardh ekskluzivisht detajet e kësaj ngjarjeje të paprecedentë: Gjithçka nisi më 15 korrik të këtij viti rreth orës 14.30, kur në lagjen nr.15 Durrës janë helmuar nga ushqimi tre persona, pjesëtarë të një familje: Hiqmet Kajtazi 49 vjeç, gruaja e tij Anila Kajtazi, 39 vjeçe dhe vajza e madhe, Alketa Kajtazi, 20 vjeçe.

Për pasojë, ata u transportuan  në Spitalin Rajonal Tiranë ku mjekët thanë se gjendeshin jashtë rrezikut për jetën. Është e qartë se familjarët ishin helmuar nga dy vajzat të cilat sigurisht që nuk pësuan asnjë helmim.

Pak orë më vonë, Salla Operative Durrës u njoftua se rreth orës 02:30 të 16 korrikut, ishte djegur shtëpia e Hiqmet Kajtazit dhe familjes së tij, ndërkohë që të tre ata gjendeshin të helmuar në spitalin e Tiranës. Për pasojë janë djegur vetëm orenditë shtëpiake pasi në banesë nuk ka pasur njerëz në momentin e rënies së zjarrit.

Nga ana e policisë nisi hetimi për zbulimin e shkaqeve të rënies së zjarrit. Disa orë më vonë, në ambientet e Komisariatit të Policisë Durrës është paraqitur Hiqmet Kajtazi, i cili kishte dalë nga spitali dhe ishte kthyer në qytetin e lindjes. Ai në deklaratën e tij shpjegon se: Pasi kanë ngrënë drekë, më datë 15 korrik 2015 së bashku me gruan e tij, Anila dhe vajzën Alketa, nuk janë ndier mirë, ndërsa dy vajzat e tjera, Orialda 17 vjeçe dhe vajza e vogël me iniciale K. Kajtazi, 14 vjeçe nuk kanë patur shqetësime. Menjëherë kanë shkuar në Spitalin Rajonal Durrës dhe më pas në Tiranë për një mjekim më të specializuar.

Kur janë kthyer nga spitali kanë evidentuar që i është djegur banesa dhe dy vajzat e vogla janë larguar nga banesa. Ato kanë marrë me vete: 400 000 lekë të reja dhe 800 euro, katër telefona celularë; pasaportat dhe kartat e identitetit të Alketës dhe Orialdës dhe sendet personale. Të njëjtat shpjegime ka dhënë edhe gruaja e Hiqmetit, në deklarimin e saj.

Nga hetimet që ka kryer grupi hetimor rezulton se vajzat i kanë vënë zjarrin banesës dhe më pas janë larguar. Më datë 16 korrik 2015 është bërë edhe shpallja në kërkim e dy vajzave për veprat penale “Shkatërrimi i pronës me zjarr” dhe “Vjedhja” në bashkëpunim. Nga Efektivat e Komisariatit të Policisë Durrës po punohet për gjetjen e tyre dhe dokumentimin e plotë të ngjarjes. zyrtarë të policisë lokale thonë se në mënyrë legale nga territori i Shqipërisë, vajzat nuk rezulton të kenë dalë./

SHKARKO APP