Dy rastet kur burrat vranë gratë, avokatja: Ja pse nuk funksionon urdhri i mbrojtjes
Dy raste të fundit, një të hënën në Rrëshen, ku ish-bashkëshorti vrau gruan dhe të vëllanë e saj dhe një dje në Durrës, ku përsëri një ish-bashkëshort vrau me levë gruan, kanë rikthyer edhe një herë në vëmendje faktin që urdhrat e mbrojtjes nuk funksionojnë në Shqipëri.
Mbrëmjen e së hënës në Rrëshen, Fatmir Kolecaj ekzekutoi me armë zjarri ish-bashkëshorten e tij së bashku me të vëllanë. Policia ende po kërkon autorin e vrasjes së Esmeralda Filopatit, i cili ka pasur konflikte të vazhdueshme me ish-bashkëshorten për takimet e 3 fëmijëve që kishin së bashku. Ish-bashkëshortja e autorit kishte marrë një urdhër mbrojtje nga policia për shkak se kishte konflikte të vazhdueshme me ish-bashkëshortin i cili ka vizituar shpesh banesën e prindërve të ish-bashkëshortes dhe kërkonte takime më të shpeshta me 3 vajzat e tyre.
Krimi i rëndë brenda familjes tronditi gjithashtu dje Durrësin, kur një grua është vrarë mizorisht nga bashkëshorti i saj, i cili e kishte dhunuar edhe më parë. Asbije Kuka, 36 vjeçe ka qenë me urdhër mbrojtje nga burri i saj Ardian Kuka, 37-vjeç i cili kishte ushtruar dhunë dhe herë të tjera.