Dy shkolla të reja 9-vjeçare po rilindin pas tërmetit në Njësinë 9. Veliaj: Në shtator gjithçka gati

Dy shkolla të reja 9-vjeçare, “Qazim Turdiu” dhe shkolla “Hasan Vogli”, po rilindin pas tërmetit të 26 Nëntorit 2019 shumë herë më të mëdha, me kushte më të mira dhe në një kohë rekord, në mënyrë që nxënësit t’i gjejnë gati këtë shtator. Kryeministri Edi Rama, kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj dhe ministri i Rindërtimit Arben Ahmetaj inspektuan punimet për dy shkollat në Njësinë 9 në kryeqytet, të cilat janë pjesë e 23 shkollave dhe kopshteve që po rindërtohen pas dëmtimeve të rënda të pësuara nga tërmeti, krahas 17 shkollave të tjera të reja që janë në proces.

Kryetari i Bashkisë tha se me gjithë këto investime që po kryhen në “kantierin” e arsimit, mësimit me dy turne në Tiranë po i vjen fundi dhe gjithashtu marrin fund edhe vonesat e nxënësve, prindërve dhe mësuesve në trafik. “Këtu ne rritemi me 50% si kapacitet. Praktikisht ka mbaruar e gjithë pjesa e infrastrukturës së rëndë. Çunat na e dorëzojnë në fund të korrikut dhe ne merremi pastaj vetëm me pastrim, mobilim dhe gjithë rifiniturat. Palestra do të ketë një hyrje të veçantë që komuniteti të mund ta shfrytëzojë edhe kur shkolla nuk është në aktivitet. Deri tani kemi 65 palestra. Në shumicën e shkollave të reja kemi futur edhe konceptin e auditorit, siç vepruam te Liceu me sallën e koncerteve, siç bëmë tek “Servete Maçi” me sallën “Avni Mula”, “Tonin Arapi”, çdo shkollë tani do të ketë dhe auditorin, si koncept,” tha Veliaj.

Ai shtoi se me të njëjtat ritme po ecet edhe me shkollat e tjera në kryeqytet. “Herën e fundit kemi qenë te “Vaçe Zela” dhe “Kristo Frashëri” në “Don Bosko”. Edhe ajo ka mbaruar plotësisht. Aty do bëjmë punët e fundit dhe do fillojmë me mobilimin dhe do duhet të fillojmë dhe regjistrimet, sepse, nëse “Qazim Turdiu” dhe “Hasan Vogli” janë shkolla ekzistuese dhe thjesht është rritur kapaciteti, aty shkolla ndërtohet nga e para, ndaj duhet ta fillojmë pak më herët promovimin dhe regjistrimet,” deklaroi kryetari i Bashkisë së Tiranës.

Shkolla “Qazim Turdiu” me një sipërfaqe prej mbi 6 mijë metër katrorësh, është projektuar për një kapacitet prej afro 900 nxënësish, me qëllim që të plotësojë nevojat për arsimim në këtë zonë, duke pothuajse dyfishuar numrin nga kapaciteti ekzistues. Ndërsa shkolla “Hasan Vogli” me sipërfaqe prej mbi 4 mijë metra katrorë do të rindërtohet për të akomoduar 600 nxënës, nga të cilët 2 klasa me fëmijë në ciklin parashkollor.

SHKARKO APP