Dy vite nga shembja e Teatrit Kombëtar, Budina flet për ”tradhtinë” e Bashës
Sot bëhen dy vite nga shembja e godinës së Teatrit Kombëtar. Regjisori Edmond Budina, thotë se ai dhe artistët e tjerë që dolën në mbrojtje të teatrit, u tradhtuan në kauzën e tyre nga Lulzim Basha, i cili asokohe ishte kryetari i Partisë Demokratike.
Ai tregon se në orët e para të mëngjesit të 17 majit, pak para se të shembej teatri, politikanët e opozitës u thanë atyre që të largoheshin për një pushim, pasi kishin informacione se nuk do ndërhyhej nga policia. Regjisori thekson se Basha nuk iu përgjigj disa mesazheve të tij dhe shtoi se i ka thënë në sy ish-kryedemokratit që të mos tradhtonte kauzën e tyre.
”Mendimi im personal është që kryetari i Partisë Demokratike na la në baltë. Ne frikën e kemi pasur që në fillim. Unë të paktën, personalisht i kam thënë në sy, mos na tradhto, në momentin që hymë në sallë dhe firmosi kontratën. Pse them unë që na tradhtuan? Doli edhe Ilir Meta tha, e kam marrë në telefon Lulzim Bashën dhe nuk më është përgjigjur. Të njëjtën gjë më bëri edhe mua, muaj më pas”.