Dyshimet mbi dokumentin e Artan Hoxhes dhe emisionit të Fezviut

Dikush po luan e sajon me mjeshtri profesionale dokumenta,gjoja nga dosja hetimore, te cilat nuk kane as date e as firme. Tek Fevziu filloi loja kunder Metes para pak muajsh e duket se tek “Opinion”-i po mbaron. Lapsi.al ka bere kete shenim te cilin po e  botojme te plote, ndonese  botuesit e lapsit nuk e kursejne Meten , nese i kapin gje. Fakti qe hidhen dyshime per keto dokumenta, siç tha nje burim nga selia e LSI, tregon se dikush po hedh euro cash per te ngaterruar lojen per draftin e drejtesise. A eshte Rama apo dikush qe rri ne ndonje ambasade apo Tom Doshi me Dritan Priftin, kjo do pak kohe te zbulohet. Por njeri eshte, ndonese nuk ka shenja se po luan i huaji ! Pra Rama apo Doshi?!

Publikimi, jo i rastësishëm, nga gazetari Artan Hoxha në emisionin Opinion, i një përgjimi mes numrit të telefonit të Ilir Metës dhe biznesmenit Kastriot Ismailajt, ka ngritur disa pikëpyetje.

A është i vërtetë ky dokument në tërësinë e tij? A është përgjuar vërtet Ilir Meta në bisedat me Kastriot Ismailajn? A mundet që ata që kanë kryer përgjimin, prokuroria në këtë rast sipas gazetarit Hoxha, të zbardhë transkriptin e bisedës së përgjuar të një deputeti, përgjimi për të cilin mund të autorizohej vetëm pasi t’i ishte hequr imuniteti, pasi bëhet fjalë për vitin 2008 kur imuniteti nuk ishte hequr ende me ligj?

Le t’i marrim me radhë. Dokumenti i publikuar nga gazetari Hoxha, tashmë edhe në faqen e tij në Facebook, ka disa detaje që e bëjnë të dyshimtë.

1. Pjesa ku është publikuar numri i telefonit të Ilir Metës dhe kërkesa e tij: “Nesër në darkë duhet të takohemi patjetër. Me duhen 200 mije. Mos harro”, figuron një herë në krye të njërës prej faqeve të dokumentit dhe një herë në fund të një faqeje tjetër të dokumentit, e prekur edhe nga firma e oficerit të policisë gjyqësore, Lutfi Minxhozi. Se si i njëjti paragraf shkruhet dy herë në një dokument zyrtar, i vendosur në të njëjtin kontekst, kjo do një përgjigje. Mund ta shihni në faksimilet e mëposhtme të marrë nga Facebook –u i gazetarit.

2. Po kështu, në të gjithë dokumentin prej disa faqesh, rezulton që vetëm pjesa ku flitet për Ilir Metën është e bërë me gërmë të errët dhe më të trashë se pjesët e tjera, ose bold siç njihet në gjuhën teknike (dokumentat e mësipër dhe më poshtë). Përse duhet që një oficer i policisë gjyqësore “ta nënvizonte” një bisedë të tillë kur objekt i përgjimit ishte biznesmeni dhe jo politikani? Në bisedë ka edhe pjesë të tjera të rëndësishme, por që nuk janë të nënvizuara apo të bëra me bold.

3.Të paktën dy nga fletët ku është bërë transkripti i bisedës së zhvilluar nga numri i Ilir Metës me numrin e Kastriot Ismailajt nuk kanë firmën e oficerit të policisë gjyqësore poshtë. Madje në njërën prej tyre firma mungon edhe pse duket qartë se bëhet fjalë për fundin e faqes, vendin ku janë firmosur të gjitha faqet e tjera (dokumentat e mësipërm).

Gazetari Hoxha thotë se gjykata e ka lejuar përgjimin e telefonit të biznesmenit Ismailaj, ndonëse prokuroria e ka vënë në dijeni që në përgjime ka patur komunikim edhe me politikanin, në atë kohë deputet. Ligji e ndalon rreptësisht përgjimin e politikanëve me imunitet, pa u marrë më parë vendimi nga parlamenti për t’ia hequr atë. Në këtë rast nuk është përgjuar politikani, por biznesmeni. Megjithatë, në rastet kur politikanët bien në përgjime gjatë komunikimit me persona që ndiqen nën dyshimin se kryejnë aktivitet kriminal, transkripti i bisedave të tyre është tërësisht i ndaluar.

Shembull për këtë është zhurma që bëri pak muaj më parë Komisioni i Sigurisë Kombëtare kur pati dyshime se SHISH kishte përgjuar drejtues të lartë të vendit, përfshirë kryeministrin Rama dhe kryeparlamentarin Meta, nëpërmjet bisedave që ata kishin zhvilluar me persona, numrat celularë të të cilëve ishin nën përgjim.

Komisioni i Sigurisë Kombëtare shkoi deri aty sa hartoi një raport për të vënë përpara përgjegjësisë kreun e SHISH. Ata kontrolluan fashikuj të ndryshëm në SHISH, por pa mundur të gjejnë ndonjë transkript bisede mes krerëve të lartë të shtetit apo politikanëve me persona nën përgjim. Arsyeja e thjeshtë: asnjë institucion nuk mund të transkriptojë përgjime të politikanëve, nëse ndaj atyre vetë nuk ka nisur ndonjë procedim penal.

Këto detaje e bëjnë të dyshimtë dokumentin, botimi i plotë i të cilit do të shmagnte çdo përgjegjësi përsa i përket vërtetësisë së tij. Ana ligjore se përse është përgjuar Ilir Meta dhe përse është zbardhur në shkresë zyrtare biseda e tij, kur kjo ndalohet me ligj, është çështje tjetër. /Lapsi.al

SHKARKO APP