E bezdiste/Klodian Rasha dhe Nevaldo njiheshin, polici konsumues i hashashit
Shkelja e orarit policor nga Klodian Rasha, i mori jetën tragjikisht këtij të fundit. Në mesnatën e 8 dhjetorit, teksa Rasha kishte dalë për të blerë një paketë cigare, siç rrëfyen pas ngjarjes familjarët dhe shokët e tij, u qëllua për vdekje. Vrasja e 25-vjeçarit nga efektivi i repartit “Shqiponja”, i cili ndodhet pas hekurave dhe pret vendimin e drejtësisë, nxiti një revoltë të madhe dhe protesta të fuqishme që çuan në dorëheqjen e Sandër Lleshajt si ministër i Brendshëm. Ngjarja tronditëse nxiti protesta në të gjithë Shqipërinë, por kulmoret ishin në Tiranë, duke sjellë në vëmendje raportin polici-qytetar dhe kualifikimin e efektivëve të policisë.
Media Fax News, publikon një version tjetër të ngjarjes.
Shkrimi i plotë
Efektivi i repartit të “Shqiponjave” Nevaldo Hajdaraj me viktimën kishin njohje të mëparshme, por nuk dihet ende në çfarë rrethanash. Klodiani i ka folur disa herë një të njohuri të tij për një efektiv policie që e shqetësonte. Ka dyshime të pakonfirmuara zyrtarisht se ishte fjala pikërisht për Hajdarajn i cili thotë burimi, njihej në zonën ku banonte Rasha. Dy pistat e pazbardhura nga hetimet janë një njohje e mundshme mes viktimës dhe autorit si dhe arma e gjetur pranë vendit të ngjarjes. Sa i përket pistës së parë, pavarësisht se nuk është deklaruar zyrtarisht, rezulton se Rasha dhe Hajdaraj të paktën fizikisht njiheshin, madje 25-vjeçari kishte shprehur edhe shqetësimin me të njohurit për mënyrën se si reagonte efektivi kur e ndeshte në rrugë.
Nga informacione ende të pakonfirmuara, ka dyshime që Rasha dhe Hajdaraj edhe të kenë punuar para disa kohësh së bashku në një biznes në rrugën “Bardhyl” në kryeqytet. Sa i përket pistës së dytë, asaj të armës, nga ana e personave të njohur të familjes Rasha dhe të vetë Klodianit, mohojnë kategorikisht se i riu mbante armë me vete. Nevaldo Hajdaraj ishte konsumues i lëndëve narkotike dhe alkoolit. Madje ai e ka përdorur hashashin dhe alkoolin edhe pas marrjes së detyrës në repartin “Shqiponja” dhe shpesh, thotë një burim që e ka ndeshur në rrugë, shfaqej në gjendje të dehur ose nën efektin e substancave narkotike.
Ka dyshime që veprimi i mëngjesit të datës 8 dhjetor 2020 nga Hajdaraj të ketë ardhur si pasojë e një njohje të mëparshme me Rashën. Një dëshmitar i ngjarjes, i cili nuk pranon të identifikohet dhe të tregojë rrethanat pse ndodhej aty, ka pohuar edhe përpara hetuesve gjithë dinamikën e ngjarjes. Ai ka thënë se fillimisht Hajdaraj e ka thirrur Rashën që të shkojë drejt tij, por i riu nuk i është bindur.
Në këto momente Hajdaraj ka nxjerrë armën e shërbimit dhe ka nisur ndjekjen e 25-vjeçarit që kishte nisur të largohej përgjatë rrugës “Dritan Hoxha”. Në një moment Rasha i ka dalë nga sytë efektivit, duke u futur në rrugicën që e dërgonte në banesë, ndërsa aty që korrespondon të ketë pranë edhe një pikë servisi, ka ndaluar duke parë veprimet e efektivëve, njëri prej të cilëve ndiqte atë dhe tjetri ndodhej tek një makinë që kishin ndaluar në rrugë për ta kontrolluar.
Edhe Rasha e ka humbur nga sytë Hajdarajn, i cili i është afruar duke u fshehur pas murit të servisit dhe qëlluar në befasi në një distancë jo më të madhe se 10 metra. Rasha në këto momente thotë dëshmitari, ka rënkuar duke thënë se “më vrave”. Këto janë detajet e reja që kanë dalë në dritë nga vrasja e Rashës, ndërkohë që familjarët e 25 vjeçarit kanë dyshime se plaga në kokë është shkaktuar nga një rikoshet plumbi.
Po ashtu është e konfirmuar se mëngjesin kur ka ndodhur ngjarja ka pasur dy të shtëna me armë. Pas 3 vizitave në familjen Rasha, kryeministri Rama pasi ka dëgjuar qëndrimin e kryefamiljarit Qazim Rashës se si duhet të funksionojë drejtësia, për të shmangur hasmërinë, ky i fundit i ka kërkuar të ketë durim, ndërsa ka përmendur edhe ndryshimin e akuzës ndaj efektivit ende pa u bërë publike nga drejtësia. Konsiderimi i ngjarjes si vrasje, ndonëse Rama nuk ka dashur të tregojë se është marrë një vendim i tillë, duke thënë se “I takon Prokurorisë”.