“E drejta vonon por nuk harron”/ AMT i dërgon kallëzimin penal për Ramën, Veliajn dhe Fushën. Si përgjigjet Danimarka
AMT i është drejtuar Danimarkës për cështjen e Teatrit duke i dërguar kallëzimin penal që ka dorëzuar në SPAK për Ramën, Veliajn dhe Fushën. Në një shkrim në Facebook, njoftojnë se nuk mungoi përgjigja e institucioneve daneze që i siguruan AMT se do të kryejnë të gjithë hapat sipas ligjeve për të zbardhur të vërtetën e ndërtimit të Teatrit të Ri dhe përfshirjen e danezit Bjarke Ingels në projekt.
Reagimi i plotë:
Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit i nisi Ministrisë së Drejtësisë së Danimarkës, Prokurorit të Përgjithshëm të Danimarkës, Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë Penale të Danimarkës, një kopje të kallëzimit penal kundër Kryeministrit shqiptar, Kryetarit të Bashkisë së Tiranës, shtetasit shqiptar Shkëlqim Fusha, që ka bërë pranë SPAK-ut, kohë më parë, me qëllim zbardhjen e të vërtetës mbi përfshirjen në projektin korruptiv të ndërtimit të Teatrit të Ri të shtetasit danez Bjarke Ingels përfaqësues i kompanisë BIG.
Me një shkrese përcjellëse i kërkuam institucioneve të drejtësisë daneze të reagonin në respektim të ligjeve që veprojnë në Mbretërinë e Danimarkës.
Ndryshe nga institucionet shqiptare, që shquhen për mungesë transparencë, na mbërriti një përgjigje në kohë rekord prej institucioneve daneze në fjalë, e cila na siguron se do të kryejnë të gjithë hapat procedurialë konform ligjeve daneze dhe së shpejti, do të kërkojnë informacion shtesë nga ne dhe organet e drejtësisë shqiptare.
E drejta vonon, por nuk harron.