E dyshuar si bashkëpunëtore në vrasjen e Hekuran Billës, 26-vjeçarja në gjykatë për masën e sigurisë
Ditën e sotme po mbahet seanca për masën e sigurisë ndaj 26-vjeçares, Adjola Lakra.
Lakra është arrestuar të premten që lam pas, e cila dyshohet se ka bashkëpunuar me Viktor Markun dhe Sebastian Malin, dajë e nip, të dy me arrest në burg për vrasjen e ndodhur mbrëmjen e 11 qershorit, të Hekuran Billës tek Komuna e Parisit në kryeqytet.
Top Channel mësoi se 26 vjeçarja Lakra ishtë përdorur si karrem nga Sebastian Mali. Ka qenë pikërisht ajo e cila kishte krijuar njohje me Hekuran Billën dhe mbrëmjen e ekzekutimit, kishte lënë takim me këtë të fundit pranë qendrës tregtare aty ku edhe ai u qëllua.
Kjo i ka dhënë mundësi Viktor Markut dhe Sebastian Malit, që të ishin në dijeni për lëvizjet dhe rrugën që do të ndiqte viktima, që siç kuptohet edhe nga kamerat e sigurisë, dyshimet janë që krahas makinës që autorët përdorën për ekzekutimin, automjeti i Billës ndiqej nga një tjetër makinë.
Ndërkaq, policia thotë se po punon për kapjen e të tjerë personave të përfshirë në ngjarje, pasi dyshimet janë që autorët pasi u larguan në drejtim të Pezës për të djegur automjetin e tyre, ka qenë dikush tjetër që i ka marrë me makinë.TCH