E dyta në listën e PD-së, Jorida Tabaku: Marrim 20 mandate në Tiranë
“Është një vlerësim, por më tepër një përgjegjësi për atë që duhet të bëjmë”. Kështu thotë Jorida Tabaku për vendosjen e emrit të saj në vend të dytë, pas Lulzim Bashës, në listën e kandidatëve të Partisë Demokratike në qarkun e Tiranës. Nga ana tjetër Tabaku komentoi listat e PD, duke u shprehur se personat që do të kandidojnë kanë dhënë kontribut real në PD.
”Gjatë muajve të fundit, secili nga këta persona është përfshirë në vendimmarrje dhe përfshirja ka që qenë një vendim i përbashkët. Të gjithë janë persona me kontribut real. Ekipi i sotëm ka një kontribut të jashtëzakonshëm në të kaluarën, por nga ana tjetër ka kombinim edhe me emra të rinj. Lista e deputetëve të paraqitur nuk është një listë ngushtësisht që do të qeverisë nesër, por që do të përballet në betejën e 25 prillit. Nuk ka asnjë të re në faktin e listës. Lajmi është që ne po i ofrojmë shqiptarëve listën që kthen normalitetin”, tha Tabaku.
Sa i përket listave të Partisë Socialiste, Tabaku tha se ato lista kanë vetëm një emër, Edi Ramën. ”Listat e PS kanë vetëm një emër në çdo qytet, ka emrin e Edi Ramës. Pavarësisht që i sati vendoset ai, ne kemi përballë Edi Ramën. Kushdo që vendoset tani për propagandë apo makijazh për të mbuluar dështimet, krimin, korrupsionin, nuk sjell asnjë përmirësim, pasi në fund të ditës të gjithë në grup mbajnë përgjegjësi për veprimet e Edi Ramës”, tha Tabaku.