E frikshme, nuk ndalet rritja e çmimeve
Shtrenjtimi i çmimeve nuk po njeh limite, teksa niveli i inflacioni është regjistruar në rritje edhe gjatë muajit tetor. INSTAT e llogarit indeksin e çmimeve të konsumit 8.3% më të lartë se i njëjti muaj vitin e kaluar. Ushqimet dhe karburantet vijojnë të udhëheqin shtrenjtimin e kostove të jetesës, me çmime përkatësisht 15.2% dhe 21.1% më të larta.
Rënia e konsumit është përkthyer në çmime më të ulëta për argëtimin dhe veshjet: dy lukse që familjet shqiptare po i kursejnë në këtë periudhë për të përballuar kostot e shtuara në çdo artikull dhe shërbim tjetër.
INSTAT e llogarit vlerën zyrtare të inflacionit mbi shpenzimet që kryen një familje mesatare shqiptare. Por për shtresat me më pak të ardhura, ku konsumi mbështetet kryesisht në ushqime, inflacioni është ndjeshëm më i lartë.