“E kapa nga veshët dhe e vura poshtë”: Kuksiani tregon përleshjen me arushën (VIDEO)

Babai i 5-fëmijëve rrëfen se ka përjetuar momente të frikshme kur ra pre e një sulmi nga një arushë. Fasli Karaxha nga Kukësi, fatmirësisht ka shpëtuar, ndonëse është ndeshur me kafshën e egër, ku u plagos në gjymtyrët e sipërme. Ai tregon se arusha e ka ndjekur nga pas, duke bërë që ai të ndeshet me të, ndonëse frika ka qenë e madhe.

“Unë kam qenë në bjeshkën e fshatit, duke kullotur tufën time të bagëtive. Ne e dinim që arusha apo ariu mund të na bënte dëme në blegtori, por që të na ngacmonte edhe ne, jo. Në bjeshkën tonë bari është shumë i madh dhe kur e pashë në fillim mu duk e vogël, por kur mu afrua pas shpine u tremba shumë. Fatmirësisht isha me qenin e tufës së deleve dhe ai më ndihmoi shumë. U ndeshëm, pasi e kapa nga veshët dhe e vura poshtë, por ishte shumë e madhe dhe falë ndërhyrjes së qenit mu largua. Më ka goditur në dorën e djathtë dhe kam pasur shumë gjakderdhje. Menjëherë kam njoftuar infermierin dhe kam përfunduar në spital. E them me bindje se, kafshët e egra janë shtuar, pasi edhe moratorium i gjuetisë ka ndikuar për shtimin e tyre. Kam përjetuar një frikë të paparë”,-është shprehur Fasliu.

Banorët e tjerë të fshatit tregojnë se kafshët e egra janë shtuar shumë kohëve të fundit, ku moratorium i gjuetisë, duket se ka ndikuar për shumimin e tyre. Në fshatrat e thellë të qarkut të Kukësit, kafshët e egra si ujku, ariu, dhelpra etj janë të shumtë, ku banorët e zonës prej kohësh i kanë dhënë fund edhe gjuetisë pa kriter, duke krijuar një klimë të favorshme për shtimin e tyre.

Swiss Digital Desktop Reklama

[youtube url=”https://www.youtube.com/watch?v=UTbiO8wkHWk” width=”560″ height=”315″]

Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

A keni besim se Protesta do ta rrëzojë kryeministrin Rama?