E kapur nga Putin? Kryemadhi: Shpifje dhe shantazh politik ndaj meje
Deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi është në valën e akuzave se është financuar nga para ruse. E ftuar në emisionin “Të Paekspozuarit”, ajo e ka cilësuar sulmin mbi të si politik, ndërsa theksoi se pas kësaj fshihet Edi Rama. Duke akuzuar Top Channel se është përdorur pushkë në dorën e Edi Ramës, ajo tha se gjithçka është falsifikuar dhe se firma e saj nuk gjendet askund.
”Sulmi mbi mua është politik. Në fakt një nga problemet e mëdha që ne kemi sot, mua nuk më bën problem lufta sepse më rrit vetëbesimin sepse siç e dimë për çështjen e inceneratorëve ka dhe disa padi të tjera por si sulmon njeri ata.
Mua përveç se më vjen për të qeshur më vjen dhe keq për ata që po përdoren si kavie, sepse është ushqim mediatik që u hidhet shoqërisë shqiptare nga një televizion kombëtar. Top Channel është përdorur pushkë në dorën e Edi Ramës. Përveçse është një shpifje e rëndomtë por nga ana tjetër është dhe një shantazh politik që përdoret ndaj meje.
Këto shkresa që shihni janë të shtypura në kompjuter por aty s’ka asnjë firmë timen. Pra këto falsifikime janë përdorur nga një kompani izraelite e cila merret me dezinformime, një person që është në kërkim sepse përmes transaksioneve false ka sulmuar me fake akunt të bankave, si rasti në fjalë”,-tha Kryemadhi.